Ligji i punës, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2010, po shkelet nga vetë institucionet e vendit, pretendojnë përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, transmeton rel
Mosrespektimi i këtij ligji, sipas tyre, po ndodh konkretisht te neni i cili përcakton orarin e punës, i cili nënkupton periudhën kohore gjatë së cilës i punësuari kryen punë ose shërbim në të mirë të punëdhënësit.
Doruntina Gashi, zyrtare për informim në Odën e Afarizmit të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se me këtë ligj, orari i plotë i punës zgjatë 40 orë në javë, kurse punonjësit e sektorit publik punojnë 7 orë në ditë apo 35 orë në javë, pasi sipas saj, ora e pauzës, nuk duhet llogaritur si orë pune.
“Por, institucionet dhe ndërmarrjet publike në Kosovë punojnë me orarin 08:00 – 16:00, me një orë pushim, e që i bie vetëm 7 orë në ditë, përkatësisht 35 orë në javë”, thotë Gashi duke shtuar se koha e pushimit të punonjësit, nuk duhet të llogaritet si orë pune, por si pushim. Në vendet e Bashkimit Evropian, sipas saj, pushimi nuk llogaritet si orë pune.
Sipas ligjit që është në fuqi thuhet se orari i plotë i punës zgjat 40 orë në javë, nëse me këtë ligj nuk është përcaktuar ndryshe. Kurse i punësuari ka të drejtë për pushim gjatë ditës së punës, me orar të plotë të pandërprerë të punës, në kohëzgjatje më së paku prej 30 minutash, i cili nuk mund të caktohet në fillim apo në mbarim të kohës së punës.
Edhe udhëheqës të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, thonë se në institucionet publike nuk zbatohet Ligji i punës. Kryetari i kësaj sindikate, Avni Ajdini, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se nga moszbatimi i ligjit në sektorin publik, humbet një orë punë në orarin e punës prej 8 orësh në ditë. Për dallim nga sektori publik, në atë privat, sipas tij, ndodh e kundërta, pasi që zakonisht punohet më gjatë, por nuk kompensohet puna jashtë orarit.
“Në sektorin privat punohet deri në 12 orë në ditë, ku tejkalohen orët (40) e lejuara me ligj. Kurse në sektorin publik punohet 7 orë në ditë, pasi 1 orë kanë pushim nga ora 12:00 deri në 13:00, ndërkaq llogaritet si orë pune. Kështu që shkelet e drejta ligjore, të cilin vet e kanë miratuar”, tha Ajdini.
Orari më i përshtatshëm, kushtet më të mira të punës si dhe pagesa, potencohen ndër faktorët pse qytetarët kryesisht preferojnë të gjejnë punë në sektorin publik.
Të gjithë preferojnë punësimin në sektorin publik
Blerim Sadiku një i ri nga Prishtina, thotë se është i interesuar të sigurojë vend pune në sektorin publik. Ai ka përfunduar studimet në Fakultetin Ekonomik, dhe thotë se përgjegjësia në punë në institucionet shtetërore është më e vogël. Ndërkaq pauza, vikendi dhe numri i festave të shumta që zbatohen në Kosovë, janë arsye shtesë, që sektori publik mbetet favorit për punë. Ai punon kamerier në një nga lokalet e Prishtinës dhe ndjek me vëmendje konkurset e punës në sektorin publik.
“Vazhdimisht kërkoj punë në sektorin publik, sepse në sektorin privat nuk respektohet orari i punës, punohet më shumë se 40 orë në javë, paga është më e vogël, madje nuk jepet me kohë”.
“Ndërkaq, në sektorin publik, punë ka më pak edhe ajo çka është kryesorja në sektorin publik, pronari nuk të largon nga puna kurdo që i teket, siç ndodh në sektorin privat”, thotë Blerimi.
Ndryshe, sipas Odës së Afarizmit në Kosovë, nga mosrespektimi i orarit të plotë të punës prej 8 orësh në ditë, buxheti i Kosovës nga ky sektorë humb rreth 90 milionë euro në vit.
Paga mesatare në sektorin publik, sipas kësaj Ode është rreth 600 euro, që do të thotë rreth 3.75 euro për orë pune. Në Kosovë punohet 237 ditë në vit, përkatësisht 1896 orë gjatë vitit dhe sipas një llogarie të kësaj Ode, humbjet që pësojmë nga ora e pauzës janë 237 orë humbje, me rreth 100 mijë të punësuar krijohen rreth 88 milionë euro krijohen humbje financiare.