Publicisti Migjen Kelmendi, duke folur në dokumentarin “Dosjet Speciale – Historia e bashkëpunimit të Serbisë me Gjykatën Speciale”, i prodhuar nga Opinion / TV Klan dhe Albanian Post, ka thënë se narracioni propagandistik për trafikim organesh dhe “shtëpinë e verdhë”, ngashëm si me Kosovën është përdorur edhe nga Rusia për Ukrainën.
Kjo, sipas tij, jep përshtypjen finale se besimi që drejtësia do të restaurohet në Kosovë thelbësisht është lëkundur.
“Ku mbet shtëpia e verdhë? Çka ndodhi me “zhuta kuça”? Nuk ishte në aktakuzën zyrtare të Dhomave Speciale në Hagë. Çka ndodhi me “zhuta kuça”? Kjo është një çështje. Nuk u zhduk krejt nga historia. E njëjta “zhuta kuça” na shfaqet në një vend tjetër. Ku? Në Ukrainë. Me të njëjtin narracion se aty janë kryer krime kundër ushtarëve rusë. Kush po akuzon? Vetë Vladimir Putin”.
“Dhe kur e ke parasysh se një kësi narracioni, një kësi përralle propagandistike, një kësi bombe propagandistike, me të cilën filloi një proces më i madhi i drejtësisë kohëve të fundit, fillon ta kesh përshtypjen finale se jo që jemi brenda një, si të thuhet, procesi të drejtësisë, por fatkeqësisht besimi se drejtësia do të restaurohet në Kosovë thelbësisht është lëkundur, dhe ke bindjen, fitohet bindja, se jemi brenda një procesi politik, që mos me thënë se jemi brenda një Netflix Show Kriminologjik, i ndërtuar dhe i konstruktuar nga qarqe të cilat nuk i kontribuojnë drejtësisë”, thotë Migjen Kelmendi.