Miftaraj i referohet Prokurorisë: Martini tërhoqi 1 milion, mos u habitni kur dëgjoni politikanë e trima të lidhur me pushtetin që e mbrojnë

E publikuar: 11/09/2024 18:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka shkruar lidhur me rastin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Miftaraj ka thënë se nëse Prokuroria është e saktë në konstatimin e Berishaj i ka tërhequr 1 milion euro ‘cash’ nga bankat në Kosovë dhe askush s’e di ku kanë shkuar, atëherë sipas Miftarajt, s’duhet habitur kur dëgjohen politikanë apo njerëz të lidhur me pushtetin duke e mbrojtur Berishajn.

“Martini nëse është me i besu prokurorisë i ka terhjek mbi 1 milion Euro kesh ne banka ne Kosove. Askush nuk e din se ku i ka dërgua apo si i ka shpenzua këto mjete. Tash mos u çuditni kur dëgjoni politikanet apo trimat e lidhur me pushtetin nese e mbrojne nje person qe i terhjek 1 milion Euro kesh. Bota nuk sillet vetvetiu, boten e sillin parate”, ka shkruar Miftaraj.

Emri i ambasadorit Berishaj është aktualizuar pas një interviste të presidentes Vjosa Osmani, ku kjo e fundit ndryshe nga një konferencë që kishte dhënë më herët, sugjeron që ambasadori Berishaj më mirë do të ishte të largohej vetë, meqë ka gjëra të cilat duhen sqaruar.