Microsoft publikoi ditën e sotme një tjetër version eksperimental të Windows 10-ës i cili vjen në vazhdën e Përditësimit të Dytë të Krijuesve për këtë vit.
Kompania po punon për finalizimin e tij dhe pritet të debutojë më 17 Tetor. Me Windows 10-ën si një shërbim, Microsoft prej tre vitesh e trajton produktin ndryshe nga sa ishte sjellë me paraardhësit.
Sistemi operativ jo vetëm që përditësohet me arnime sigurie por edhe me veçori të reja. Plot tre përditësime janë publikuar: Përditësimi i Nëntorit, Përditësimi i Përvjetorit dhe Përditësimi i Krijuesve.
Duke qenë se Microsoft vijon të fokusohet në stabilitetin e sistemit operativ me këtë përditësim të dytë madhor, ndërtimet eksperimentale përfshijnë kryesisht rregullime gabimesh dhe keqfunksionimesh dhe jo veçori të reja.
Ky ndërtim adreson pesë probleme:
- Disku optik nuk shfaqet në This PC për insajderat e Windows 10-ës
- Microsoft Edge dështonte gjatë shfletimit të PDF-ve
- Insajderat e Windows 10-ës merrnin një gabim 0x80070005 gjatë kalimit në një ndërtim të ri
- Shkarkimi i skedarëve nuk funksionon me aplikacionet universale
- Windows Defender shkarkonte aksidentalisht skedarë
Ndërtimi i ditës së sotme dërgon numrin në 16299 të Windows 10-ës nga 12696 që ishte me 22 Shtator. /PCWorld Albanian