Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, Gabriele Meucci, ka vizituar Gjykatën Themelore të Mitrovicës, punëtorët e së cilës tash e shtatë vite punojnë në objektin e gjykatës në Vushtrri.
Meucci tha se gjyqtarët dhe personeli i gjykatës kanë bërë një punë të rëndësishme për komunitetin.
“Siç e dini, ne po ndihmojmë, po asistojmë në implementimin e marrëveshjes të arritur ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe shpresojmë se kjo së shpejti do të vihet në zbatim”, tha Meucci.
“Kam ardhur këtu t’i dëgjoj mendimet e juaja se si e parashihni të ardhmen, sepse fundi i fundit ne e kryejmë punën tonë si mision, por ju jeni aktorë në vendngjarje, jeni në skenë. Jeni duke e bërë një punë thelbësore, një punë shumë të rëndësishme për komunitetin”, tha shefi i EULEX-it.
Kryetarja e gjykatës, Kada Bunjaku-Perçuku, theksoi bashkëpunimin e mirë që ka personeli i gjykatës me pjesëtarët e EULEX-it që operojnë në veri të Mitrovicës.
“Siç jeni në dijeni punonjësit e sistemit të drejtësisë në Mitrovicë nga viti 2008 e këndej, ku jemi larguar me dhunë nga objekti i jonë në veri të Mitrovicës, punojmë në kushte jashtëzakonisht të vështira për punë. Por, edhe përkundër kësaj, gjyqtarët e kësaj gjykate dhe personeli kanë shënuar rezultate të mira dhe efikasitet në kryerjen e punëve”, ka deklaruar Bunjaku-Perçuku.
Ndërkohë, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë Shyqyri Syla dhe disa nga gjyqtarët prezentë në takim e informuan shefin e EULEX-it edhe me disa rrethana sa i përket vendosjes së tyre në objektin e gjykatës në veri të Mitrovicës, e poashtu u shprehen optimist për funksionim normal të këtij sistemi në një të ardhme të afërt. /Telegrafi/