Meucci: Akuzat e publikuara rreth rastit “Kleçka”, pa fakte

E publikuar: 12/03/2015 16:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, si dhe shefi i EULEX-it, Gabriele Meucci, kanë takuar sot kryetarin e Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi.

Siç njofton zyra për media e BE-së në Kosovë, ky takim është mbajtur në lidhje me akuzat e publikuara kohët e fundit për ndërhyrje në procedurat gjyqësore lidhur me kryetarin e Nismës, Fatmir Limaj.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë Zhbogar ka këmbëngulur se BE-ja nuk ndërhyn në vendimet e gjykatës.

“EULEX-i nuk është në Kosovë për të ndjekur asnjë agjendë politike, por është për drejtësi dhe sundim të ligjit. Ekzistojnë mekanizma për gjetjen e parregullsive të mundshme. Drejtësia kurrë nuk duhet të jetë politike, por e bazuar në prova dhe fakte”, citohet të ketë thënë Zhbogar.

Ndërkaq sipas komunikatës së zyrës së BE-së shefi i EULEX-it, Meucci, paraqiti të gjitha faktet relevante për të ashtuquajturin “rastin Kleçka”, që aktualisht është në pritje të apelit në Gjykatën e Apelit.

“Është e vërtetë se paneli në nivelin e apelit është diskualifikuar nga kryetari i Gjykatës së Apelit. Misioni e ka pranuar dhe e ka respektuar këtë vendim; vendim që thoshte se institucionet e drejtësisë funksionojnë si duhet. Ky është edhe fakt”, ka thënë Meucci.

Sipas tij, akuzat tjera që janë publikuar nuk janë faktike.

Siç ka thënë Meucci, misioni nuk ka ndërhyrë në rezultatin e gjyqit dhe se asnjë anëtar i stafit të EULEX-it nuk ka kërkuar mbrojtje në lidhje me këtë rast.

Sipas Meuccit asnjë gjyqtar nga paneli i diskualifikuar nuk do të jetë në panelin e ri.
t