Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur në një vizitë shtetërore, Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta dhe kanë dhënë së bashku një konferencë shtypi. Në veçanti ata kanë folur për problemin e madh të liebralizimit të vizave për shtetasit e Kosovës. Thaçi madje e ka parë si rrugëdalje, pajisjen e tyre em shtetësi shqiptare në disa raste për disa kategori të caktuara.
“Kosova e ka të qartë qëllimin dhe vizionin e vet që do të jetë pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Europian, – tha Thaçi. – Por pasi aktualisht BE ka krijuar një rrethanë izolimi klasik të lëvizjes së lirë të njerëzve, unë e diskutova edhe me Presidentin Meta se e vetmja shprese në këtë moment për qytetarët e Kosovës që të lëvizin lirshëm, që në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Shqipërisë dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, t’u jepet nënshtetësia qytetarëve të Kosovës, veçanërisht studentëve, biznesmenëve dhe njerëzve që kanë nevoje. Kjo është një nevojë imediate që qytetarët e Kosovës të pajisen me nënshtetësi që të lëvizin në Europë”
I pyetur nga mediat vendase lidhur me liberalizimin e vizave për kosovarët, Meta tha se “nuk ka pozicion më të vështirë sesa ai i Presidentit të Shqipërisë lidhur me këtë” duke e pasur fjalën për numrin e madh të kërkesave që i paraqiten nga Kosova për marrjen e nënshtetësisë shqiptare dhe shtoi se Kosova i ka plotësuar kushtet e liberalizimit.”
“Unë kam pasur takim para disa ditësh edhe me Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin, z.Danielsson në Tiranë, – tha Meta, – por edhe në takimet me personalitete si me Presidentin e Gjermanisë apo takimet që ka pasur çdo personalitet tjetër në Shqipëri, pra sa herë kemi pasur mundësi të takohemi ne theksojmë domosdoshmërinë e dhënies fund të këtij izolimi, këtij diskrimini që po përjetojnë qytetarët e Kosovës, të vetmit në Ballkanin Perëndimor që janë privuar nga kjo mundësi. Ca më tepër kur ata që para 40 vjetësh e kishin këtë mundësi, kur shqiptarët as nuk e ëndërronin. Ndaj unë mendoj se nuk është e drejtë që liberalizimi të kushtëzohet me demarkacionin. Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe e meriton liberalizimine vizave për qytetarët e saj.”




















