Kreu i Kuvendit ka vënë shenjën e mosbarazimit mes mosvotimit të reformës dhe votimit të saj pa konsensus si faktor destabilizues afatgjatë të vendit.
Në fund Meta ka rënë dakord me kërkesën e vjetër të opozitës për qeveri teknike për zgjedhjet e ardhshme, duke kërcënuar me tërheqje të ministrave pas miratimit të reformës. Një kërcënim dukshëm ndaj Edi Ramës.
Ilir Meta, kryetar i Kuvendit: Unë mbështes fuqimisht deklaratën e Ndihmës Sekretares znj. Nuland për të arritur konsensusin, mbështesim edhe propozimin hibrid, por konsensusi është i domosdoshëm që të arrihet. Unë mund t’ju them me bindje të plotë se nëse mosmiratimi i reformës ditën e enjte është një hap i madh mbrapa për vendin, miratimi i reformës në mënyrë të diskutueshme, jo plotësisht legjitime dhe me integritet, mund të hapë një situatë krejt të re për vendin e cila nuk do të jetë ajo e forcimit të institucioneve dhe të shtetit ligjor. Ndaj propozimi im është ky, të takohemi të pestë. Unë si kryetar Parlamenti, dy kryetarët e dy forcave kryesore politike që kanë përgjegjësinë në parlament dhe para popullit shqiptar, sepse kjo është një reformë e Parlamentit të Shqipërisë, të dy ambasadorët e nderuar dhe të mbyllemi përgjithmonë këtu në rast se nuk japim zgjidhje dhe nuk i votojmë ndryshimet kushtetuese ditën e enjte në orën 10:00. Sepse të gjithë kemi premtuar për këtë gjë. Atëherë të gjithë duhet të sakrifikojmë për këtë gjë. Duke e parë se mosbesimi është kaq shqetësues, kaq i lodhshëm, dhe kaq i rrezikshëm për të ardhmen, jam i bindur që rruga më e mirë do të jetë ndërtimi i një qeverie ekspertësh e cila pas miratimi të reformës e çon vendin në zgjedhje demokratike dhe të pa kontestuara nga askush. Unë personalisht jam gati që për hir të këtij kompromisi që nga ky moment të jap dorëheqjen si kryetar parlamenti, në qoftë se kjo i shërben kompromisit, ministrat e forcës politike që unë përfaqësoj dhe të gjithë përfaqësuesit politik të bëjnë të njëjtën gjë.
/ Top Channel