Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, gjatë vizitës së tij zyrtare në Itali, u takua me kryetaren e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit italian, Laura Boldrini, me të cilën zhvilloi një bisedë të ngrohtë e miqësore.
Gjatë takimit, Meta e falënderoi Boldrinin për ndihmën që ajo ka dhënë për refugjatët e Kosovës më 1999 kur ajo mbante postin e përfaqësueses së Komisionerit të Lartë të UNHCR-së.
“Nga Presidenti Meta u vlerësua kontributi i jashtëzakonshëm i zonjës Boldrini si përfaqësuese e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR-së) në zonat verilindore të Shqipërisë, në përballimin e pasojave humanitare të konfliktit të vitit 1999 në Kosovë”, thuhet në komunikatën e Presidencës shqiptare.
Meta po ashtu vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera e të partneritetit strategjik midis dy vendeve, si dhe shprehu vendosmërinë për promovimin dhe forcimin e mëtejshëm të tyre në të gjitha fushat.
Presidenti shqiptar shprehu mirënjohjen për mbështetjen më të fundit që Boldrini dha personalisht në zgjidhjen e çështjes së eliminimit të taksës për mjetet shqiptare të transportit që tranzitojnë territorin italian.
Intensifikimi i bashkëpunimi ndërparlamentar, në mënyrë të veçantë ai mes grupeve parlamentare të miqësisë, u konsiderua jashtëzakonisht i rëndësishëm për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve, si dhe për mbështetjen Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.
Të dy bashkëbiseduesit u dakorduan për nevojën e nxitjes të iniciativave ligjore, që u hapin rrugën projekteve konkrete për njohjen e kontributit të shqiptarëve që jetojnë në Itali me qëllim garantimin e një gjithëpërfshirjeje të drejtë e për ta dhe familjet e tyre.
Një vëmendje të veçantë, Presidenti Meta dhe Boldrini, ia kushtuan edhe bashkëpunimit rajonal dhe progresit të deritanishëm të këtij bashkëpunimi. Meta vlerësoi rolin dhe kontributin real të Italisë për paqen, stabilitetin dhe integrimin e vendeve të këtij rajoni në Bashkimin Evropian dhe theksoi se “angazhimi dhe prezenca më e madhe politike, institucionale dhe ekonomike e Italisë në rajonin e Ballkanit do të ishte shumë e mirëpritur”.















