Mësuesja e Vitit beson se sivjet Kosova do të ketë rezultate më të mira në PISA

E publikuar: 07/03/2018 18:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Elime Stublla–Dumani, arsimtarja e teknologjisë në shkollën fillore “Dardania” në Prishtinë, që sot mori çmimin “Shaban Jashari” për Mësuesen më të mirë të vitit, beson që Kosova do të ketë rezultate më të mira në testin PISA më 2018.

Sipas saj, arsimtarët e lëndëve të përfshira në këtë test tashmë kanë nisur përgatitjet e nxënësve që të dalin sa më mirë që të jetë e mundur në këtë test.

“Gjithmonë kemi pas nxënës të mirë. Kemi filluar përgatitjet. Arsimtarët adekuatë të lëndëve të caktuara janë duke mbajtur orët e duke u përgatitur me çdo material të mundshëm për testin PISA. Kësaj radhe rezultatet do të jenë më të mira”, ka thënë ajo në Express Intervistën në KTV.

Sa i përket çmimit që mori sot, Stublla-Dumani ka deklaruar se nuk mund ta përshkruajë me fjalë ndjenjën që ka pasur sot.

“Po vlerësohesh për punën që ke bërë dhe kjo është diçka që të gëzon shumë. Është edhe diçka që të shtyn të punosh edhe më shumë”, është shprehur ajo.

Stublla-Dumani ka kujtuar kohën kur si mësimdhënëse e kishte të vështirë mbajtjen e orëve për shkak të regjimit serb. Ka treguar se profesionin si arsimtare e ka nisur më 1986 në Milloshevë, ndërsa në Prishtinë kaloi pas luftës.

Sipas saj, aktualisht e ka shumë të lehtë punën me nxënës sepse thotë se e ka kabinetin me të gjitha kushtet dhe mjetet e nevojshme për mbajtjen e orëve mësimore./koha.net/