Sot u bënë dy javë që mësuesit janë në grevë dhe shkollat e Kosovës nuk janë duke punuar. Greva u organizua, pak për shkak të rritjes së pagave e më shumë për ta mbrojtur integritetin moral dhe profesional të mësuesve që u shkelën në forma të ndryshme tash e mbi 3 dekada, që nga viti 1985. Si konstatim i parë: Mësuesit kanë të drejtë! Megjithatë, kjo po kanalizohet në mënyrë të shkëlqyeshme nga presidenti Thaqi për ta disiplinuar kryeministrin Haradinaj.
Përbuzja
Historinë përbuzëse që iu bë mësuesve shqiptarë në Kosovë e dimë të gjithë,sado mbamendja jonë (sikurse edhe për gjëra tjera) është aq sa mbamendja e pëllumbit. I torturoi dhe i përbuzi pushteti serb para pushtimit të Kosovës. Kur u pushtua Kosova, mësuesit u nxorën nga shkollat, nga sistemi i pagesës dhe shteti (pushtues) serb vrau shumë mësues (mbase i kemi harruar). Mësuesit shqiptarë me dinjitetin e martirit shpëtuan qenien shqiptare të Kosovës duke mbajtur mësim, nën tytën e armëve dhe me rrezikim të jetës së tyre dhe të nxënësve e studentëve, pa pagesë, në shtëpi-shkolla për gati njëdekadë, duke përçuar mesazhin institucional para botës se shqiptarët na qenkan të zotët e të moderuar për t’u organizuar si shoqëri e shtet më vete, prandaj, edhe baza e lirisë dhe pavarësisë së këtij vendi e ka bërthamën te mësuesi. Në luftë u vranë nxënës e mësues, u dogjën shkolla. Edhe pas luftës mësuesit vazhduan punën e vet të ndershme, si gjithnjë naivë, të sinqertë, të përbuzur, të manipuluar nga të gjithë të pafytyrët e këtij vendi, që të gjithë përfituan në kurrizin e tyre. Edhe sot e njëjta gjë ndodh,vetëm se me petk të ndryshuar.
Si shpërblim i punës në vitet e 90-ta të shekullit që shkoi, i talli qeveria Bukoshi; nuk u dha pagë, një kohë punuan pa rrogë, pastaj me nga 10 marka, pastaj me 20, më vonë me 40, në vitet e parafundit me 150 -180 marka, e pastaj në vitet e fundit prapë nuk merrnin asgjë. Paratë që grumbullonin mërgimtarët nga 3 përqindëshi duheshin për të tjera gjëra. U tall SBASHK-u, duke iu dhuruar rroba dhe veçmas një lloj xhupi me ngjyra laraske që mësuesi dallohej nga shpati, dhe kjo, pos tjerash, u ndihmonte policëve serb t’i identifikonin mësuesit shqiptarë pa pasur nevojë për asnjë spiun. Menjëherë pas luftës, i talli qeveria e përkohshme, duke i vënë në krye të arsimit “shqiponjat” dhe “skifterat”, i talli UNMIK-istani, duke vënë në krye të arsimit kozmopolitët që për kusht kishin t’i dinin nja 5 fjali anglisht dhe ta kishin një “potvrdudobnosti”që miqtë serb ia ofronin Daxnerit të famshëm. Por mbi të gjitha, i tallëm ne vetë, i tallëm që nga qeveria e parë e deri te kjo e fundit, në emër të reformës dhe duke instaluar dhe rehatuar militantët partiakë. Pagë e dinjitet mësuesit nuk i dha askush në gjithë këto vite. Prandaj, mësuesit kanë të drejtë.
Eksperimenti i quajtur ‘reformë” që vrau sistemin arsimor
Në testin “PISA” nxënësit e Kosovës dolën diku të parafundit të botë, më poshtë se shumica e vendeve të Afrikës. Të gjithë ngarendën që fajin t’ua lënë mësuese për këtë: “Mësuesit duhet trajnuar, mësuesit duhet çertifikuar, mësuesit duhet bërë bashkëkohorë si të gjithë mësuesit e Evropës” -thanë ata akademikë, që nuk e kanë mbaruar filloren, dhe që sot janë në krye të arsimit dhe të institucioneve të shtetit. Askush nuk e tha se faji është i sistemit, se arsimi dhe përgjithësisht shkolla në Kosovë i nënshtrohet politikës së ditës dhe interesave materiale tëkapove të bandave që sot e sundojnë Kosovën. Nuk e thashë gabimisht: Kosova nuk qeveriset, ajo sundohet.
Nisemi nga gjeneza. Kur u bë qeveria e parë e Kosovës së lirë, Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë qe institucioni i parë qeverisës në Kosovë që u pavarësua nga UNMIK-u, (që dikush e quante unmikistan e dikush unmikoviq). Ishte një shpresë për të gjithë se në krye të arsimit ishte një ekip që ishte dëshmuar në faza të caktuara që i kishin prirë me sukses arsimit. Filloi mbarë për disa muaj. Por, kursi ndryshoi sapo filloi të provohet lezeti i parasë dhe i pushtetit. Disa që e kishin në shpirt arsimin shqip u tërhoqën, disa i larguan. Për t’ua bërë qejfin të huajve, se ja, sa reformatorë na qenkëshin këta shqiptarët, filluam “reformën” dhe pa asnjë përgatitje, pa asnjë analizë dhe pa e ditur fare se çfarë po duam e ku po synojmë të arrijmë , të parët në Ballkan aplikuam sistemin 9-vjeçar, se ashtu e kishte e tërë Evropa dhe morëm për model sistemin suedez, ku edhe ata vetë më vonë thanë se nuk ishte i përshtatshëm as për shoqërinë suedeze. Me rëndësi ishte forma, punë e madhe për përmbajtjen, me rëndësi ambalazhi të duket bukur, se çka ka brenda nuk ka rëndësi. Pra, sistemi ynë arsimor u bë “kompatibil” me sistemet arsimore të vendeve më të avancuara të Evropës, kuptohet vetëm nëletër , por jo edhe në përmbajtje. U fol për metoda “interaktive”, “nxënësi në qendër”, “mësimi lojë”, sikurse ne po fillonim me shkollën për herë të parë e jo që kishim një përvojë goxha të gjatë dhe më një sistem arsimi klasik, që deri në kohët tona ështëdëshmuar si sistemi më i suksesshëm kudo në botë. Dhe kështu, në emër të metodës, nga sistemi shkollor fillimisht u hoq edukata, pastaj mësimi elementar i të shkruarit të germave dhe të numrave, tabela e shumëzimit dhe u tha se tani e tutje sistemi ynë arsimor ka prioritet teknologjinë informative dhe mësimin e gjuhës angleze, dhe nxënësi i Kosovës nuk ka nevojë as për edukatë e as për njohuritë elementare, dhe vërtet, çfarëna duhen këto gjëra “primitive”, kur sistemi ynë arsimor synonte majat e modernes?Po sikur institucionet tona kompetente të vinin me një strategji, një planprogram edukativ ku fëmijëve që në moshë të hershme do t’u hidheshin farat për të mbjellë dashurinë ndaj vendit të tyre, sikur fëmijët të edukoheshin në frymë atdhedashëse, se si të punojnë dhe ta çojnë vendin e vet përpara, a thua vallë do të kishim një rini të tillë që qëllim parësor ka ikjen nga këtu dhe sherbimin në vende të tjera?
Gjendja shkoi deri aty sa nëperiudhën kur ministër i arsimit ishte Enver Hoxhaj, që akoma shumë shkolla nuk ishin rinovuar nga djegiet e luftës dhe mësimi mbahej nën shkolla najloni dhe brenda një klase kishte edhe nga 55 nxënës, tha se sistemi arsimor të Kosovë nën sundimin e tij do jetë “luginë silikoni”, që me d.m.th. se gjithçka do të shkëlqejë. Dy pasardhësit e tij, po ashtu nga e njëjta parti, Ramë Buja dhe Arsim Bajrami shkuan edhe një hap përpara, duke e quajtur sistemin arsimor dhe përtej kësaj Kosovën si “shtet i dijes”. Po për dreq doli ai testi PISA,e na e nxori gjumin dhe pamë se dija që prodhon shkollat tona është në fundin e dynjasë.
Mos të harrojmë se periudha 2004-2015 ishte kohë e përfitimeve të mëdha materiale, sidomos në ndërtimin e shkollave, kur lulëzonin tenderët e ndërtoheshin shkolla në mjediset rurale ku më nuk kishte fare nxënës, si në fshatrat e Gollakut, apo ku brenda tre-katër vitesh ndërtoheshin e rindërtoheshin shkolla të reja me çmime milionëshe siçështë rasti me shkollën e Turicevcit dhe në plot vende të tjera anë e mbanë Kosovës. E kur këtyre iu shtohen edhe miliona e miliona për pajisje me teknologji, me inventarë, me seminare e punëtori për të hartuar dokumente e strategji dhe për botimin e librave, mund të thuhet se sistemi arsimor në Kosovë ishte si shkop magjik që prodhonte para e tituj për sundimtarët e vendit. Të gjitha këto, pa dobi për shkollën. Atë rezultat që megjithatë e kanë arritur shkollat tona, e kanëarritur në saje të punës së mësuesve, duke qenë të penguar nga komplet sistemi arsimor dhe nga të gjithë mekanizmat e shtetit.
Sistemi arsimor i Kosovës dhe SBASHK-u- në shërbim tëHashimThaqit dhe PDK-së
Në kohën kur Hashim Thaqi nuk e kishte pushtetin absolut në Kosovë, por ishte si pjesë e qeverisë apo ishte në opozitë, shkollat i kishte një nga armët kryesore për destabilizimtë qeverisë dhe të vendit. Ndërsa, Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe e Shkencës (SBASHK) ishte njëfilial i shkëlqyeshëm në duar tëThaqit dhe PDK-së, e tillësiçështë edhe sot. Në vitet 2003-2005 kur arsimin e sundonte LDK-ja (edhe në këtë periudhë nuk kishte qeverisje por sundim) pagat e mësuesve ishin për gjynah dhe këtë dinte ta kapitalizonte aq mirë Hashim Thaqi. Grevat nuk kishin të ndalur, kurse filiali i tyre, SBASSHK-u, punonte me kapacitete të plota.
Në zgjedhjet e para pas vdekjes së presidentit Rugova, kur kishte ndodhur edhe “Kuvendi i karrigeve” në LDK, ishte e qartë se zgjedhjet do t’i fitonte PDK-ja, përkatësisht Hashim Thaqi, që diti ta kapitalizonte këtë periudhë për mrekulli. U premtoi rritje të rrogave mësuesve tëtë gjitha niveleve. Dhe, premtimin e mbajti. Të njejtën gjë e vazhdoi edhe me zgjedhjet e dyta, premtoi prapë rritje pagash dhe prapë i rriti, duke siguruar kështu gati 100 mijë vota për sundimin e tij dhe të partisë së tij dhe kjo gjendje vazhdoi edhe në zgjedhjet e fundit. Një foto që po qarkullon këto ditë në opinion po na përkujton se krerët e koalicionit që tash sundojnë vendin, RamushHaradinaj dhe KardiVeseli e kishin bërë pazarin me kryetarin e SBASHK-ut, RrahmanJasharaj, duke u pajtuar që këta të fundit të sigurojnë votat e mësuesve për koalicion, dhe si shpërblim, do të kenë rritje të pagave për 30 përqind. SBASHK-u e kishte kryer detyrën, ia kishte siguruar një numër të mirë të votave të mësuesve këtij koalicioni. Por, këta dy, duke mos e pasur “mjeshtërinë” e Thaqit, harruan pazarin me SBASHK-un dhe në këtë Ligjin e ri për pagat në Kosovë, që pritet të miratohet, mësuesit i lanë në fund të listës, më poshtë se shoferët dhe asistentët teknikë që punojnë në ekipin e sundimtarëve të Kosovës. Prandaj, këtë gabim të kryeministrit Haradinaj me shumë mjeshtri e kapi presidenti Thaqi, qëi erdhi si sihariq këtij të fundit në këtë moment kur marrëdhëniet ndërmjet kryeministrit Haradinaj dhe presidentit Hashim Thaqi janë acaruar në pikën e vlimit për bisedimet me Serbi, përkatësisht, për ndarjen e territorit të Kosovës me Serbinë dhe për taksën, prandaj, duke e pasur mbrapa HashimThaqin dhe ekipin e tij, SBASHK-u nuk do të ndalet pa iu plotësuar kërkesa, ose, pa e rrënuar qeverinëHaradinaj, gjë që tani i duhet Hashim Thaqit. Dhe, kjo do t’i duket mire opinionit, pasi mësuesit janë përbuzur dhe ata kanë të drejtë në atë që kërkojnë.
Ministria e Arsimit të zhvendoset në Malishevë
Ky titull me dozë të rëndë cinizmi dhe ironie (kur Ministria e Kulturës po zhvendoset në Prizren, tatari e marrtë vesh pse?) shpjegon mjaft qartë gjendjen e shkollave në Kosovë. PDK-ja, pas tre mandateve që e kishte kullotur paq arsimin dhe i kishte siguruar titujt akademikë për militantët e saj partiakë pa shkollë fillore, “pataten e nxehtë” ia la në dorë një partie të vogël “Nisma”, e cila, dikur ishte pjesë e partisë së madhe, e cila nuk i kishte ndarë, veçmas në fushën e arsimit. Ç‘është e vërteta, kur u formua qeveria, u tha se kryetari i kësaj partie minore, Fatmir Limaj, ia kaofruar postin e ministrit dy a tre profesorëve meritorë dhe jo partiakë, që natyrisht e kishin refuzuar, duke e ditur se në ç’derë ka degraduar sistemi i arsimit ndër ne, dhe ,në këto rrethana të kësaj filozofie politike dhe realiteti ndër ne, nuk ka kush që mund ta vë në binarë normalë shkollën në Kosovë. Prandaj, i gjendur pa rrugëdalje ishte detyruar që këtë post t’ia besoj njëbashkëvendësi dhe një vartësi të tij nga Malisheva (kjo partie vockël de fakto shtrihet nga Malisheva në Prizren). Ky ministër që mund ta ketë marrë këtë post edhe pa vullnetin e tij, u gjet në pozitën e Perandorit të fundit kinez, qëçdo gjë kalon nëpër duart e tij, çdo gjë thyhet në kurrizin e tij e pavarësisht vullnetit të mirë që mund të ketë për arsimin, nuk e ka as idenë më të vogël se çfarë bën, sado që në fushën e ekonomisë mund të jetë një specialist i mirë. Duke qenë kështu, MASHT-in dhe institucionet arsimore në Kosovë i kanë kthyer në çerdhe të punësimit të malishevasve të NISMËS.
Si përfundim: Arsimi në Kosovëështë fund pusi. Pa u shemb fare e mbajnë mësuesit me inercinë e tyre, me vetëmohimin, idealin dhe naivitetin e tyre, duke u përbuzur dhe duke u shfrytëzuar nga të gjitha klanet që e sundojnë këtë vend. Mundësia e vetme që arsimi të ringjallet ngadalë, me shumë pasoja që nuk shërohen për kohë të gjatë dhe më shumë sakrifica, është që ai të shpallet prioritet nacional dhe të udhëhiqet nga specialistët pa i përzier fare gishtat asnjë strukturë politike. Por, tash për tash arsimin në Kosovë s’ ka kush ta shpëtojë! Mësuesit kanë të drejtë!
Shemsi Syla