I kthyer te Argjentina, Lionel Messi u shfaq menjëherë vendimtar, duke shënuar golin e fitores 1-0 përballë Uruguajit. Yllit të Barcelonës i mjaftoi më pak se një pjesë loje, për të rifituar adhurimin e tifozëve dhe të shndërrohet sërish në liderin e skuadrës “Albiceleste”, duke harruar zhgënjimin në Kupën e Amerikës. Një magji nga ato të zakonshmet, ku kontrolli me thembër u shoqërua nga goditja me të majtën, që falë një devijimi përfundoi në rrjetë. Messi kishte edhe detyrën të ngushëllonte Paulo Dybala, që në ndeshjen e parë si titullar te Argjentina, u ndëshkua me karton të kuq, pak sekonda përpara pushimit të lojës. Skuadra e Bauza-s siguroi tri pikë që e ngrenë në krye të grupit kualifikues të Amerikës Jugore drejt Botërorit 2018.
Mjaft mirë edhe Brazili i Tite-s, që fitoi 3-0 në fushën e Ekuadorit. Një sukses i realizuar falë klasit të Neymar dhe ndeshjes pozitive të Gabriel Jesus. Pas një pjese të parë të vakët, “seleçao” ndryshoi në fraksionin e dytë, me aktivizimin e Coutinho-s. Sulmuesi i Liverpool fitoi 11-metërshin e shndërruar në gol nga Neymar në minutën e 70. Sfida u vendos nga dy golat e Gabriel Jesus, me sulmuesin e ri të Manchester City që shkëlqeu në minutat e fundit. Në të 87-ën Gabriel Jesus realizoi një gol të shkëlqyer me finte, ndërsa në të 92-ën vulosi suksesin e Brazilit.
Asnjë problem për Kolumbinë, që fitoi 2-0 ndaj Venezuelës së vendit të fundit me golat e James Rodriguez e Torres, ndërsa “Cafeteros” shpërdoruan edhe dy penallti. Zhgënjen Kili, që u mposht 2-1 nga Paraguaji. Vendasit shënuan dy herë në 10 minutat e para të sfidës me Romero dhe Da Silva, ndërsa rrjeta e Vidal në të 36-ën nuk i shërbeu Kilit për të evituar humbjen. Në fund, Escobar e Raldes vendosën fitoren 2-0 të Bolivisë përballë Perusë, me të dyja skuadrat që nuk kanë më shanse drejt Botërorit 2018.
Grupi kualifikues i Amerikës së Jugut kryesohet nga Argjentina e Bauza-s me 14 pikë, e ndjekur nga Kolumbia, Ekuadori dhe Uruguai me 13 dhe Paraguaji e Brazili që ndjekin në kuotën e 12 pikëve. Me vendin e pestë, “seleçao” është vetëm 1 pikë larg kualifikimit direkt.