Lionel Messi nuk është grumbulluar në përfaqësuesen e Argjentinës, për sfidën kualifikuese ndaj Brazilit. Mediat amerikano-jugore kanë zbuluar detajet e vendimit të trajnerit Tata Martino, që publikoi listën me 25 futbollistë për duelin ndaj seleçaos, por edhe për sfidën me Kolumbinë.
Vendimi u morr pas bisedës që katër herë fituesi i Topit të Artë zhvilloi me drejtuesin e stolit. Pavarësisht se bëhet fjalë për Super Klasiken latine, Messi dhe Martino vendosën të mos e rrezikojnë gjendjen shëndetësore të futbollistit.
Numri 10 i Barcelonës është lënë pushim, për tu rikuperuar plotësisht dhe mos të ketë komplikacione pas dëmtimit të pësuar në gju gjatë muajit Shtator. Vendimit të Messit që të pushojë nga impenjimet me “Seleçion” në kualifikueset e Botërorit, stafi teknik iu përgjigj pozitivisht.
Vendim i njëjtë u morr edhe për Sergio Agueron, që po rikuperohet nga dëmtimi i pësuar me Manchester Cityn në Premier League. Megjithë dy mungesat e rëndësishme, Argjentina do të synojë të rikuperojë terren, pas startit të dobët të eliminatoreve.
Në këtë mënyrë, Lionel Messi është përqendruar plotësisht për të qenë gati në “El Clasicon” e 21 nëntorit kundër Realit të Madridit. Sulmuesi pritet të jetë plotësisht gati për supersfidën që çdo vit tërheq interesimin e dhjetëra milionë njerëzve në të gjithë botën.
Me rikuperimin në mesin e muajit tjetër, Messi do të jetë gati edhe për ndeshjen e Champions League, ku Barcelona do të përballet me Romën.