Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami dhe zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, kanë mbajtur sot një konferencë lidhur me marrjen e 0.5 përqindëshit për mësimdhënësit.
Ministri Bajrami ka thënë se ka ndodhur një problem në kalkulimin e pagave, por që nesër do të rregullohet. “I ftoj drejtorët e të gjitha shkollave që nesër të gjithë të jenë në shkolla. Është bërë një problem në kalkulimin e pagave por ai menjëherë është rregulluar. Ju bëjë ftesë përfaqësuesve të sindikatës që të vazhdojnë partneritetin me Ministrinë e Arsimit”, ka thënë ai.
Bajrami ka kërkuar që mësimdhënësit të mos paragjykojnë dhe t`i shikojnë listat e pagave në mënyrë që të mos dëmtohen nxënësit.
Zëvendësministri i financave, Agim Krasnqi, ka thënë se me sindikatat janë sqaruar që pagat do të dalin në fund të muajit prill. “Ne i kemi sqaruar sindikatës që pagat e këtij muaji do të dalin në fund të prillit duke përfshirë masën me rritje. Në pagën bazë do të kalkulohet 0.5%. Të enjten do të procedohen pagat”, theksoi Krasniqi. /Telegrafi/