Mësimdhënësit e komunës në Vitisë janë të vetmit që nuk i kanë marrë ende pagat, siç njoftoi sot Ministria e Financave.
Nga ky institucion pohojnë se kjo komunë nuk e ka siguruar buxhetin e nevojshëm dhe se pagat janë ekzekutuar vetëm për një pjesë të punonjësve të komunës, duke i lënë jashtë punëtorët e arsimit.
Në njoftim të MF-së tutje thuhet se përkundër që buxheti për paga ndahet asisoj që të mbulojë shpenzimin për tërë vitin, si pasojë e rasteve përmbarimore, MF-ja tha se disa komuna kanë filluar të kenë mungesë buxheti në kategorinë e pagave qysh tani dhe se Thesari i Kosovës ka njoftuar me kohë komunat të cilat janë ballafaquar me këtë problem që të bëjnë korrigjimet dhe përshtatjet e nevojshme për të siguruar buxhet të mjaftueshëm për ekzekutimin e pagave të muajit shtator.
“Komuna e vetme që nuk e ka bërë këtë rregullim është Vitia, e cila ka lënë programet e arsimit fillor dhe të mesëm pa buxhet të mjaftueshëm për ekzekutim të pagave të shtatorit”, theksohet në njoftim të ministrisë.
Por, mendim ndryshe ka kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Vitia. Për KlanKosova.tv ai u shpreh se nga MF dje i kanë thënë që të bëjnë transferin dhe se komuna nuk ka të drejtë të bëjë transfer të mjeteve pa vendim të Kuvendit. Ai paralajmëroi se do ta padisin Ministrinë e Financave.
“Presioni i tillë është i gabueshëm dhe joligjor ndaj komunës. Nuk është vendim i drejte, është bankrotim i komunës, nuk kane të drejtë me e ndalë. Qeveria është nënshkruese e kontratës kolektive dhe jo komuna”.
“Do të ndërmarrim hapa, do ta padisim Ministrinë e Financave, deklaroi Vitia.
Ndërkaq kryetari i SBAShK-ut në Viti, Kemajl Bislimi, u shpreh se kryesia e kësaj sindikate nesër do të takohet me kryetarin Vitia dhe drejtoreshën e Arsimit në këtë komunë, për të sqaruar se ku është ngecja.
“Tek tash pasdite nga njoftimi i Ministrisë së Financave e kemi marrë vesh që komunat tjera i kanë alokuar mjetet”, shtoi Bislimi.
Kujtojmë se shërbyesit civilë kanë reaguar që nga dita e djeshme për mos-marrjen e pagave. Ekzekutimi i mjeteve për ta u bë sot në orët e pasdites.