Presidentja Vjosa Osmani përfshiu UÇK-në në fjalimin e saj. Iu përgjigj veçmas atyre që thonë se Kosova s’ka politikë të jashtme. S’kishte se si ta përmbyllte fjalimin e saj vjetor, pa thumba për ish-presidentin Thaçi që ndodhet në Hagë. Për herë të parë, ajo foli për komentet rreth ndryshimit në dukjen e saj. Dhe, këtu u përqendrua opinioni në rrjetet sociale më pas.
Jo rrallëherë, në fakt, në shumicën e fjalimeve të saj solemne, Presidentja Vjosa Osmani është kritikuar që nuk po nderonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe themeluesit e saj.
Para deputetëve të Kuvendit, përjashto të PDK-së dhe AAK-së që e bojkotuan, Presidentja Vjosa Osmani mbajti fjalimin e parvjetshëm. Këtë herë, në fjalimin e Osmanit, Ushtria Çlirimtare e Kosovës zuri vend më shumë se njëherë. Ajo kujtoi edhe kryekomandatin Adem Jashari dhe bijtë e bijat e vendit rreth tij në UÇK-së. Natyrisht, pas dhënies së meritave për ish-Presidentin Ibrahim Rugova “atin themeltar të shtetit të Kosovës”.
Presidentja në fjalimin e saj la të kuptohet se dëgjon me vëmendje kritikuesit e saj. Ajo sot iu përgjigj enkas atyre që thonë se Kosova ka dështuar në diplomaci, që, sipas rolit kushtetues, e udhëheq Presidentja ndërsa ministre është një nga bashkëpunëtoret e Osmanit, Donika Gërvalla Schwarz.
Ajo kishte përgatitur statistika të takimeve të saj me liderë botërorë, të cilat i deklaroi fillimisht.
“Kam takuar 44 krerë të shteteve, shumë prej tyre nga dy-tri herë, nga të gjitha kontinentet. 46 kryeministra, shumë prej tyre nga dy-tri herë, shumë kryetarë parlamentesh, liderë të dikasterëve të ndryshme, përfshirë këtu liderë të organizatave të ndryshme”, tha Osmani gjatë fjalimit të saj.
Më pas, ajo nisi të flasë për të kaluarën dhe për ato që prej kohësh është akuzuar ish-Presidenti Hashim Thaçi që i ka bërë. Ajo përmendi idenë e ndryshimit të kufijve dhe angazhimin e kompanive lobuese, në emër të Kosovës.
Osmani, që kritikohet se karrierën politike e ka ndërtuar mbi kundërshtimin e Thaçit, riktheu vëmendjen te kundërshtari i saj tani i burgosur, që dukej se për pak muaj e kishte lënë “të qetë”.
“Kosova nuk ka politikë të jashtme po thonë ca zëra. Natyrisht që ka. Në fakt, më në fund Kosova ka politikë jashtme. Por po ju tregoj çfarë nuk ka Kosova tani. Nuk ka lobim për ndryshim kufijsh, nuk ka pagesa lobistësh për të shtyrë përpara agjenda puro individuale, nuk ka intervista të paguara për të promovuar liderë të caktuar, nuk ka flirtime me Serbinë dhe Rusinë me qëllim të interesave individuale, nuk ka udhëheqës që e krahasojnë Kosovën me Nagorno-Karabkhun e Krimenë”, tha Osmani.
Siç duket e inspiruar nga fraza “tregtarë flamujsh” e Koliqit, që njëherë e kishte përmendur edhe kryeministri Albin Kurti, Presidentja sot në Kuvend tha se “Koha e tregtarëve të kufijve ka perënduar njëherë e përgjithmonë”.
Diplomacia kosovare kritikohet herë për gabime e herë për mosveprime. Të gjitha këto, Presidentja sot ia atribuoi po ashtu të kaluarës.
“Sfidat janë të panumërta në politikën e jashtme, sepse gabimet kanë qenë të mëdha në të kaluarën. Së bashku po ndërtojmë një Kosovë partnere me komunitetin ndërkombëtar”, tha ajo.
Kur po fliste rreth diplomacisë, Presidentja Osmani përmendi edhe raportet me Shqipërinë.
Ndonëse nuk është sekret dhe madje është pranuar edhe nga ajo se raportet e saj nuk janë të mira me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Ramën, Osmani tha sot në përmbledhjen vjetore se “natyrshëm, kemi fuqizuar raportet vëllazërore me Shqipërinë, duke eliminuar barrierat…”.
Ndonëse gjatë vitit i ka rënë shpesh të heshtë kur Kosova kritikohet nga zyrtarët e lartë amerikanë, Osmani shprehu dashurinë e saj për SHBA-në në fjalimin e fundvitit.
Duke ia dhënë Presidentit Rugova në fillim meritat për aleancat e krijuara, më vonë, në fjalimin e saj, Osmani e cilësoi raportin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si më të rëndësishmen, më të shenjtën.
“Kjo garancë amerikane, Kosova nuk ka partner më të rëndësishëm sesa SHBA, prandaj këtë aleancë duhet ta trajtojmë si të shenjtë dhe ta ruajmë e ta kultivojmë përjetësisht”, tha ajo.
Një pjesë e fjalimit të saj u përqendrua te situata së fundmi në veri të vendit dhe te kërcënimet e Serbisë se do të bëjë kërkesë për futjen e 1000 trupave në territorin e Kosovës. Presidentja tha se Serbia ka qëllime për agresion ndaj Kosovës.
“Serbia duhet ta kuptojë se Kosova është shtet dhe kështu do të mbetet përgjithmonë”, tha ndër të tjera ajo.
Këtë vit, një ndër temat për të cilat është përfolur Presidentja Osmani është rënia e dukshme në peshë. Në fakt, debati nisi pas disa muajsh ndryshim në dukjen e saj, kur një media turke raportoi se Presidentja kishte bërë një ndërhyrje kirurgjikale në një spital në Turqi.
Osmani tha sot se ajo nuk zbrapset as kur komentohet dukja e saj.
“Nuk zmbrapsem as atëherë kur tentojnë të më ngjyrosin me epitete të çdollojshme që sulmojnë pamjen time apo integritetin tim, sepse të parat janë thelbësisht të parëndësishme e sa i përket vlerësimit për dinjitetin e integritetin, të dashur qytetarë, sytë i mbaj përherë vetëm nga ju. Nuk do të zmbrapsem as përpara seksizmit, seksizmit të paprecedentë e të tendencave për të minimizuar rolin e Zyrës së Presidentes, vetëm e vetëm pse në krye të saj është një grua”, tha Osmani.
Dy partitë opozitare, AAK dhe PDK e kishin bojkotuar fjalimin e Presidentes në Kuvend. Por, disa prej deputetëve u morën me të virtualisht.
Deputetja Ganimete Musliu u ndal te pjesa ku Presidentja foli për dukjen.
“Të gjykosh të tjerët për pamjen nuk është mirë, por meqenëse ti vet e paske bërë pamjen tënde pjesë të fjalimit vjetor atëherë na thuaj: A nuk është zmbrapsje ikja dhe operimi i lukthit në Turqi? Dhe atë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Si presidente ti do të mbahesh në mend veç si inatiçore, kompleksgjike, përçarëse dhe urrejtëse deri në palcë! Meqë paske hyrë të kg. Po ta them troç: Do të mbahesh në mend si një GRUA që hyri në Presidencë me 100 kg e do të dalë nga aty me 50 kg. Ti mund të jesh çkado përveç presidente”, ka thënë ajo.
Kjo deklaratë e Musliut nxiti reagime, duke u konsideruar e papranueshme gjuha e saj.