Merre një rrmojs, ktheje një metër dru

E publikuar: 07/04/2015 21:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lëvizja Vetëvendosje ka realizuar aksionin kundër kamatave të larta në vend, duke thënë se kamatat e tilla janë njësoj sikurse fajdeja por se kjo fajde sipas tyre bëhet në mënyrë më të rafinuar, përmes letrave.

“Fajde me Letra, Kamata të shpejta”, “Merre një rrmojs, ktheje një metër dru”, ishin disa nga sloganet që kanë shoqëruar këtë aksion, i cili ka filluar nga disa banka në vend për tu ndalur më pas tek selia e Bankës Qendrore të Kosovës.

Anëtarja e kryesisë së VV-së Marigona Drevinja, para selisë së BQK-së ka deklaruar se derisa në vendet e BE-së, kamatat për kredi sillen rreth 5 për qind, kamatat në vendin tonë sillen rreth 14 për qind. Sipas Drevinjes kredit në Kosovë janë fajde por se ato janë fajde me letra.

“Kredit në Kosovë janë fajde , dallimi në mes fajdegjinjve dhe bankave në Kosovës është se bankat kanë letra, mirëpo fajdeja me letra prapë se prapë mbetet fajde. Bankat në Kosovës përveç fajdeve që jua marrin qytetarëve ato ju marrin para për të gjitha shërbimet bankare. Çdo deponim ose tërheqje e të hollave nga kontoja banka u ndal një shumë të parave e qytetarëve”, tha Drevinja.

bankat2

Sipas saj shteti në njërën anën detyron si sektorin privat ashtu edhe atë publikë që të operojnë përmes bankave, mirëpo në anën tjetër nuk bënë asnjë trysni mbi këto banka për të realizuar shërbime më të lira dhe më cilësore.

“Kjo trysni që do të ishte në shërbim të qytetarë nuk do ta bëjë Banka Qendrore e cila është e kapur nga PDK-ja. Kosova ka nevojë për një Bankë Qendrore e cila do të mbrojnë interesin financiar të shteti dhe të qytetarëve të Kosovës e jo pasurimi enorm të bankierëve në kurriz të qytetarëve të Kosovës”, deklaroi Drevinja.

Ajo ka pohuar se kamatat në Kosovë do të duhej të ulen në atë mënyrë që kreditë të jenë në shërbim të rritjes së prodhimit vendor dhe forcimit të bujqësisë, çka më pastaj do të ndikonte në zhvillimin ekonomik të vendit dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Aksioni i Vetëvendosjes ka vazhduar edhe në disa filiale tjera të bankave në Prishtinë.

Bankat