Shkoi në komisarit të denonconte se i kishin vrarë kushëririn e parë në Greqi, por ka përfunduar në pranga si autor i vrasjes së tij.
Kjo është historia e Denis Zakës, një 26-vjeçari të lindur në Lushnje dhe me banim në Durrës i cili u vu në pranga gjatë ditës së djeshme me akuzën e vrasjes së kushëririt të tij Vladimit Murrizi.
Më datë 7 gusht, Zaka së bashku me babain e kushëririt të tij (të vrarë) kanë shkuar në Policinë e Fierit ku kanë bërë denoncimin për vrasjen e tij. Mersin Murrizi ka kallëzuar se djali i tij Vladimiri është vrarë në Greqi, duke sjellë edhe si dëshmitarë Denis Zakën, kushëririn e parë të tij me të cilin ka qenë bashkë në Greqi, pa e ditur se do të ishte pikërisht ai autor i vrasjes së djalit.
Pas hetimeve të kryera dhe marrjes në pyetje, Denis Zaka pranoi se kishte kryer vrasjen e kushëririt të tij. Bashkëpunimi i Policisë së Fierit me Inetrpolin dhe Policinë greke bëri që autoritetet atje të gjejnë të groposur trupin e viktimës, pikërisht në vendin ku rrëfeu kushëriri. Policia thotë se Zaka akuzohet për akuzën e “vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”, por nuk saktëson më tej me detaje.