Nëse nuk do të ishte për golat e sulmuesit francez me siguri që kuqezinjtë do të ishin duke luftuar për mbijetesën.
Jeremy Menez është ai njeriu që ka marrë për dore Milanin në këtë sezon të vështirë. Nëse nuk do të ishte për golat e sulmuesit francez me siguri që kuqezinjtë do të ishin duke luftuar për mbijetesën. 3 finalizimet e Menez në 2 ndeshjet e fundit ndaj Cagliarit dhe Palermos rikthyen Milanin në garën për një vend në Europa League sezonin e ardhshëm pasi tashmë kuqezinjtë e shohin veten vetëm 7 pikë pas Sampdorias së vendit të 5-të dhe këtë të Dielë skuadra e Inzaghit do ta presë formacionin dorian në San Siro ku do të synojë me cdo kusht fitoren për ta ngushtuar edhe më tepër distancën me ekipin e Mihajlovic në klasifikim, por për ta bërë dicka të tillë Milanit i nevojiten golat e Menez.
Francezi te 7 herë kampionët e Europës është duke përjetuar sezonin e tij më të mirë në karrierë pasi deri tani ka arritur të realizojë 16 gola shifër që nuk e kishte arritur kurrë më parë deri në këtë fazë të sezonit. Numri 7 i Milanit ka luajtur edhe për klube të tjera të njohura gjatë karrierës së tij si Roma apo Paris Saint Germain por Menez në asnjë prej tyre nuk është përshtatur më mirë se te kuqezinjtë. Tashmë objektivi i radhës për Menez është të arrijë Andriy Shevcenkon, i cili në sezonin e tij të parë me Milanin realizoi gjithsej 24 gola. Kur kanë mbetur edhe 9 ndeshje nga fundi sezonit 27-vjecari ka shanse reale ta kalojë ukrainasin, por objektivi i parritshëm për Menez mbetet Ibrahimovic, i cili në sezonin e tij të parë me kuqezinjtë realizoi 28 gola. Me një Jeremy Menez në formë të tillë kualifikimi në kompeticionet europiane sezonin e ardhshëm është mëse i mundshëm për Milanin.