Mendime të kundërta për imunitetin e Enver Hasanit

E publikuar: 11/10/2016 12:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Mbrojtja dhe Prokuroria dhanë vlerësime të ndryshme për imunitetin e Enver Hasanit gjatë gjykimit të tij.

Në gjykimin e Enver Hasanit për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumenti, mbrojtja dhe Prokuroria folën ndryshe për imunitetin e të akuzuarit.

Bajram Tmava, avokati i Enver Hasanit, kundërshtoi në seancë që Prokuroria të vendosë rreth imunitetit të të mbrojturit të tij.

“Nuk është e drejtë e Prokurorisë Speciale të vendosë për imunitetin, pasi për të vendos organi që e jep atë”, tha Tmava.

Por, këtyre pretendimeve të avokatit iu përgjigj prokurori special, Abdurrahim Islami.

“Prokuroria konsideron se kjo aktakuzë është ngritur me të drejtë, pasi që në këtë rast nuk ekziston imuniteti funksional e as ai diplomatik siç pretendon mbrojtja”, tha prokurori Islami.

Ai e konsideroi të ligjshme aktakuzën e ngritur.

“Prokuroria konsideron se të gjitha provat në bazë të të cilave është ngritur aktakuza janë marrë në harmoni, me kodet në fuqi që janë të ligjshme dhe në këtë rast nuk ekziston asnjë rrethanë, që do ta përjashtojë përgjegjësinë penale ndaj të pandehurit”, tha Islami.

Por, Bajram Tmava, avokati i Enver Hasanit, tha se Gjykata Kushtetuese vendosi drejt në rastin e vazhdimit të mandatit të tre gjyqtarëve ndërkombëtarë të saj.

“Besojmë që rasti KO 155/ 15 është vendosur në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi”, tha Tmava.

Sipas aktakuzës, Enver Hasani në mënyrë të kundërligjshme, në cilësinë e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese vendosi në lidhje me dekretin e Presidente,s që kishte të bënte me vazhdimin e mandatit për tre gjyqtarët ndërkombëtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në vendimin e Gjykatës Kushtetuese për dekretin e Presidentes rreth vazhdimit të mandatit të 3 gjyqtarëve ndërkombëtarë, Hasani ka shënuar edhe emrin e gjyqtarit Robert Carolan, edhe pse ky gjyqtar nuk kishte marrë pjesë në shqyrtimin e kësaj çështjeje, ngase bëhej fjalë edhe për vazhdimin e mandatit të tij.

Hasani është deklaruar vazhdimisht i pafajshëm, lidhur me këto akuza, duke e cilësuar aktakuzën si hakmarrje ndaj tij, për shkak të punës së tij si kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

Për aktakuzën ndaj Hasanit u bë debat në janar të këtij viti në emisionin “Jeta në Kosovë”.