Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj ka deklaruar se transmetuesi publik i ka kryer të gjitha detyrimet e kontratës kolektive.
Ahmetxhekaj gjatë raportimit para Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere ku po shqyrtohet raporti vjetor financiar i Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2022 dhe raporti i shpenzimeve për periudhën prill-qershor 2023, ka thënë se nuk kanë bërë shkurtime sa i përket kontratës kolektive.
“Ne nuk kemi bërë shkurtime sa i përket kontratës kolektive, të gjitha detyrimet që kanë dal nga kontrata kolektive në fuqi duke përfshirë shujtën, ndihmat solidare. Këto janë klasifikuar si pagë e përgjithshme dhe nuk kanë dal si zë i veçantë buxhetor.”, tha Ahmetxhekaj.
Deputeti i LDK-së Avdullah Hoti, pyeti në lidhje me peticionin e nënshkruar nga punëtorët e RTK-së për shkarkimin e kryetarit Besnik Boletini. Ai ka pyetur edhe në lidhje me bisedat me kandidatët më të poentuar për pozita menaxherilae gjatë konkursit të RTK-së. Hoti tha se këto informata janë nga Sindikata e Pavarur e RTK-së.
Hoti pati kritika edhe sa i përket programeve në këtë televizion, ku sipas tij, po radhitet në listat e fundit.
“Për këtë peticionin e nisur, edhe shqetësimi që 361 punëtorë janë përgjigjur peticionit për shkarkimin e kryetarit të Bordit. Edhe një pikë bisedat informative me kandidatë më të poentuar për pozita menaxheriale gjatë konkursit.”, tha ai.
Kryetari i Bordit, Boletini tha se Bordi ka nisur një proces të reformës që do të ketë shumë ndryshime, sipas tij, këto për dikë mund të mos jenë të pëlqyeshme. Boletini ka mohuar pretendimet për biseda me kandidatët për përzgjedhjen e pozitave menaxheriale.
“Sa i përket çështjes së pakënaqësive eventuale ne jemi në një proces të reformës që ka me pas ndryshime. Organogrami që i ka 200 pozicione do të përgjysmohet sa i përket pozitave. Ka veprim të tjera që jo çdo herë janë të pëlqyeshme. Nuk janë të vërteta as pak ato pretendime për biseda infromative.”
Ankesë ndaj transmetuesit publik patën edhe deputetë të tjerë. Edhe deputeti i AAK-së Pal Lekaj është shprehur i pakënaqur me këtë. Ndërkaq, deputeti i PDK-së, Ferat Shala lidhur me kërkesën e RTK-së për mbështetje nga partitë, tha se “Lejleku nuk i’u ka sjellë aty, por shumica parlamentare”.
Për këto ankesa, Ahmetxhekaj tha se për 23 vjet RTK asnjëherë s’ka pasur vizita më të shpeshta nga Inspektorati se tani.