Memushaj: Nëse luajmë mirë kualifikohemi në Francë 2016

E publikuar: 01/09/2015 14:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dy sfida për të vazhduar ëndrrën drejt kualifikimit në finalet e Europianit “Francë 2016″. Danimarka dhe Portugalia janë pengesat e radhës për Kombëtaren kuqezi. Ndeshje vendimtare për ecurinë e Shqipërisë në Grupin I. Pritshmëritë janë të mëdha dhe kjo ndikon në rritjen e presionit. Por, përfaqësuesja e De Biasit nuk do të ndryshojë sjellje në fushën e lojës. Konfirmimi vjen nga mesfushori Ledian Memushaj, protagonist në fitoret përballë Armenisë dhe Francës.

“Kemi dy ndeshje shumë të rëndësishme, por edhe ndeshjet e mëparshme kanë qenë të rëndësishme. Po luajtëm si në ndeshjet e fundit kemi shpresa për të shkuar në kampionatin Europian. Duhet të luajmë si në ndeshjet e fundit pasi jemi grup fantastik lojtarësh”.

Në mesfushën e Kombëtares, me shumë alternativa dhe lojtarë cilësorë, Ledian Memushaj është një prej elementëve të parapëlqyer të trajnerit Gianni De Biasi. Por, sekreti mbetet se individët vendosin gjithmonë skuadrën në krye dhe në rrugën drejt misionit historik askush nuk shkakton polemika.

“Mesfusha ka shumë lojtarë? Mesfusha jonë është shumë e fortë, por të gjithë janë ndryshe nga njëri-tjetri, kemi kualitet dhe teknikish jemi të fortë. E rëndësishme është Kombëtarja dhe jo se cili lojtar luan. Unë po u aktivizova dëshiroj të jap maksimumin. Ai që vendos është trajneri”.

Shumë i përfolur në merkaton e verës, si një alternativë për klubet e elitës së futbollit italian, Ledian Memushaj vendosi të qëndronte te Pescara në Serinë B.

“Pse qëndrova te Pescara? Pata disa oferta nga klube të Serisë A, por dëshira e klubit dhe e imja ishte qëndrimi aty, sepse dëshirojmë të fitojmë kampionatin, pasi e humbëm sezonin e kaluar për shumë pak. Unë atje ndihem shumë mirë, jam dhe kapiteni i skuadrës dhe dëshiroja të qëndroja. Klubi që më kërkoi më shumë ishte Empoli, por dhe disa të tjerë, por jo gjëra konkrete”.