Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka takuar sot, strukturat e Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Shtime, ku kanë diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend dhe për sfidat me të cilat po ballafaqohen qytetarët si pasojë e keqqeverisjes.
Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, ka shprehur shqetësimin për neglizhimin që Qeveria e Kosovës po u bën ndërmarrësve të kësaj komune, e në veçanti fermerëve, duke mos ofruar mbështetjen e nevojshme dhe duke injoruar kërkesat e tyre.
“Fatkeqësisht, qytetarëve tanë çdo ditë e më shumë po u cenohet mirëqenia, për shkak të qeverisjes së dobët e skandaleve të kësaj qeverie të papërgjegjshme. PDK nga pozicioni opozitar do të angazhohet në ofrimin e zgjidhjeve konkrete, për të shtyrë përpara të gjitha kauzat në interes të qytetarëve, që kanë për qëllim përmirësimin e kushteve të jetës së tyre.”, shkruan Krasniqi.