Memli Krasniqi: Kryeministër, lëri inatet e bashkëpuno me partnerët ndërkombëtarë për lirimin e policëve tanë

E publikuar: 19/06/2023 14:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kërkuar nga Qeveria dhe Kryeministri një rol më aktiv, qoftë edhe përmes bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, për lirimin e shpejtë të tre zyrtarëve policor të arrestuar nga Serbia, Rifat Zeka, Beqir Sefa dhe Shemsi Mustafa.

“Sot janë bërë pesë ditë nga kidnapimi i tre zyrtarëve tanë policor, brenda territorit të Kosovës, nga forcat serbe. Për pesë ditë, nuk kemi asnjë informacion për gjendjen e tyre shëndetësore, trajtimin e tyre nga autoritetet serbe dhe, fatkeqësisht, akoma asnjë vizitë tek ta. Derisa Serbia dhe Vuçiqi po refuzojnë të lirojnë policët tanë dhe kundërligjshëm po i mbajnë në paraburgim, në anën tjetër, Kryeministri dhe Qeveria po na mbajnë në errësirë në lidhje me situatën e tyre”, ka shkruar Krasniqi.

“Kërkoj nga Qeveria që të luaj një rol shumë më aktiv dhe të përgjegjshëm për rikthimin sa më parë në shtëpi të Rifat Zekës, Beqir Sefës e Shemsi Mustafës. Mbi të gjitha, kërkoj nga Kryeministri që të tejkaloj inatet e tij personale dhe të shtoj bashkëpunimin e koordinimin me partnerët tanë ndërkombëtarë – si mënyra e më e shpejtë dhe efikase për lirimin e tyre”, ka thënë ai.

Zeka, Sefa dhe Mustafa u arrestuan me 14 qershor nga forcat serbe dhe që nga ajo ditë gjenden në paraburgim në Serbi.