Memli Krasniqi e takon Alex Sorosin në SHBA: Shkëmbyem ide për situatën në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor

E publikuar: 20/11/2022 13:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi e ka takuar dje në New York, Alex Soros, djalin e filantropistit amerikan, George Soros, njëherit zëvendëskryetar i Fondacionit Shoqëria e Hapur.

Krasniqi përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se gjatë këtij takimi kanë diskutuar për situatën aktuale në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor.

“Alexi është ndjekës i vëmendshëm i zhvillimeve në Ballkan dhe kontribues shumëvjeçar i proceseve të ndryshme për zhvillimin e shteteve dhe shoqërisë civile aktive. Bashkë diskutuam dhe shkëmbyem ide në lidhje me situatën aktuale në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor, në përgjithësi”, shkruan ai.

Krasniqi e ka falënderuar Sorosin për kontributin e vazhdueshëm në nxitjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkan.

“Vizioni ynë i përbashkët është një Kosovë e fuqishme dhe një Ballkan Perëndimor stabil, i integruar plotësisht në Bashkimin Evropian. Alexin e falënderova për pritjen, idetë dhe kontributin e vazhdueshëm në nxitjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkan”, është shprehur Krasniqi.