Kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha të dielën se Rusia përbën një kërcënim më të madh për sigurinë e Bashkimit Evropian sesa thjesht nga pikëpamja e mbrojtjes pasi Moska mund të përdorë emigracionin e paligjshëm dhe çështje të tjera për të minuar bllokun.
Kryeministrat e Finlandës, Italisë, Suedisë, Greqisë si edhe shefja e Politikës së Jashtme të BE-së u takuan në fundjavë në Lapland në veri të Finlandës për të diskutuar mbi sigurinë në rajonin nordik dhe Mesdhe, si dhe sfidat e migracionit në Evropën Jugore.
“Ne duhet ta kuptojmë se kërcënimi është shumë më i madh nga sa mund ta marrim me mend”, tha zonja Meloni në një konferencë për shtyp kur u pyet për Rusinë.
Rreziku ndaj sigurisë së BE-së nga Rusia apo nga aktorë të tjerë nuk do të zhduket pasi të përfundojë konflikti në Ukrainë dhe BE-ja duhet të jetë e përgatitur për këtë, tha ajo.
“Bëhet fjalë për demokracinë tonë, për ndikimin që mund të ushtohet ndaj opinionin tonë publik, për atë që ndodh në Afrikë, ka të bëjë me lëndët e para, ka të bëjë me instrumentalizimin e migracionit. Duhet ta kuptojmë se bëhet fjalë për një ide shumë të zgjeruar të sigurisë”, tha Meloni.