Sot është nënshkruar marrëveshja për koalicion mes LDK-së dhe AAK-së, të cilat pritet të qeverisin bashkë, teksa kësaj të fundit do t’i përkasin 4 ministri, si dhe posti zëvendëkryeministrit, raporton Scanner.
Këtë e ka konfirmuar Ramush Haradinaj përmes një prononcimi për media. “U nënshkru marrëveshja besojmë se me punë do t’ia dalim në këtë kohë të vështirë”, tha ai. Ai tutje ka treguar edhe emrat për ministri dhe zëvendëkryeministrin nga AAK.
Haradinaj tha se në ministrinë e Punëve të Jashtme, ministre do të propozohet, Meliza Haradinaj -Stublla.
Por, në tetor të vitit 2019, Meliza Haradinaj ishte dënuar me 8 muaj burgim me kusht dhe 1 mijë euro gjobë, çka do të thotë se ajo akoma nuk e ka kryer dënimin, shkruan lajmi.net.
Gjykata Themelore e Prishtinës e kishte dënuar me 8 muaj burgim me kusht Meliza Haradinaj -Stubllën, pasi si zyrtare e lartë që ishte, këshilltare e kryeministrit Ramush Haradinaj ajo kishte bërë deklarim të rremë të pasurisë.
Sipas njoftimit të Gjykatës, për të dënuarën nuk do të ekzekutohet vendimi me burgim nëse gjatë 1 viti nuk kryen vepër tjetër penale.
Ajo akuzohej se me rastin e marrjes së detyrës si këshilltare politike e kryeministrit Ramush Haradinaj, më 11 shtator 2017, nuk e ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion pronësinë e saj mbi biznesin “IN MIDDLE LTD”, të regjistruar në Londër, edhe pse ka qenë e obliguar.
Me këtë ajo kishte bërë shkelje bazuar në Ligjin për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik.

















