Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka pritur në takim shefin e Zyrës së BE-së/Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së, Tomáš Szunyog
Në këtë takim u diskutua rreth zhvillimeve të fundit në sektorin financiar dhe angazhimin e BQK-së në tejkalimin me sa më pak pasoja ekonomike të gjendjes së krijuar nga pandemia.
Guvernatori Mehmeti njoftoi Ambasadorin me veprimet e ndërmarra për të liberalizuar çmimet në tregun e sigurimeve, progresin e arritur në harmonizimin e kornizës rregullative bankare me kornizën e Basel III, të adresuara edhe në raportin e fundit të BE-së për Kosovën.
Njëkohësisht, Guvernatori falënderoi Bashkimin Evropian për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës dhe BQK-së, duke përfshirë edhe periudhën gjatë pandemisë nëpërmjet Asistencës Makro – Financiare të Unionit Evropian.
Nga ana tjetër, Ambasadori Szunyog, e nënvizoi rëndësinë e punës së BQK-së në ruajtjen e stabilitetit financiar në vend.
Në këtë takim, dy palët shprehën nevojën urgjente për aprovimin e Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.
Ambasadori Tomáš Szunyog gjithashtu bëri thirrje për kompletimin sa më parë të përbërjes së Bordit të BQK-së, duke kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që ta përfundojë sa më parë procesin e përzgjedhjes së anëtarëve.