Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, e ka quajtur destruktive qasjen e Serbisë ndaj Kosovës, ndërkaq qëndrimin e Bashkimit Evropian si përkëdhelje absurde ndaj fqinjit të Kosovës.
“Për fat të keq edhe pas rënies së bllokut komunist të lindjes, strukturat vendimmarrëse të BE-së, nuk ishin të përgjegjshme ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Mehaj në Facebook.
“Lejuan dhe flirtuan me mbetjen e ish-Jugosllavisë të udhëhequr nga Serbia e cila me politikën e saj hegjemoniste të udhëhequr nga krimineli, Sllobodan Millosheviq, shkaktoi vuajtje, vdekje e shkatërrime në Slloveni, Kroaci, Bosnje e Kosovë, më të mëdhatë dhe më të tmerrshmet që nga Lufta e Dytë Botërore”.
Sipas tij, kjo qasje e BE-së e ka ushqyer Rusinë që ta ringjallë hegjemoninë e saj, dhe se BE-ja ka krijuar terren të përshtatshëm për probleme serioze të ringjalljes së forcave ultranacionaliste serbe në Bosnjë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Kosovë.
“Në kontekstin edhe më të gjerë kontinental, kjo qasje e vendimmarrjes së BE-së, ndikoi edhe në orekset e Rusisë që të ringjallë frymën e hegjemonisë ruse për rikthimin në të kaluarën e errtë të shumë popujve e shteteve me orientim properëndimor, si Gjeorgjia e Ukraina, epilogun e të cilave po e jetojmë që nga viti 2008”.
“Politikat konfuze të zgjerimit, pastaj bllokimit të zgjerimit të BE-së, krijuan terren të përshtatshëm duke shkaktuar probleme serioze me ringjalljen e forcave ultranacionaliste agresive serbe në Bosnjë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Kosovë”.
“Këto forca, për fat të keq, në pushtet të pandërprerë, dihet edhe nga çdo autoritet i BE-së, se janë të mbështetura nga Rusia përmes Serbisë. të cilat mbajnë edhe pas kaq vitesh atmosferën e konflikteve potenciale duke krijuar rrezik të madh për sigurinë e vendeve përkatëse dhe rajonit në përgjithësi, siç është edhe rasti I fundit në pjesën veriore të vendit tonë”.
Ai tregoi se pse mendon që është i pakuptimtë programi i Partneritetit për Paqe nga ana e NATO-s me Serbinë, njashtu edhe si kandidatura e tyre për anëtarësim në BE.
“Derisa BE, kërkon në pafundësi, përmbushjen e kritereve nga vendet me orientim properëndimor si Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, që synojnë stabilitetin e institucioneve me garantimin e demokracisë, sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave të njeriut dhe mbrojtjen e pakicave, ekonominë e tregut të lire, Serbia përgjatë tri dekadave edhe pas gjithë atyre mizorive, vazhdon të armatoset nga Rusia, Kina dhe Bjellorusia dhe të krijoj në vazhdimësi tensione e destabilitet në rajon”.
“Agresioni ushtarak i Rusisë në Ukrainë, tashmë ka krijuar momentumin dhe kontekstin e ri gjeopolitik i cili ka reflektimin e pashmangshëm në mjedisin politik dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor si regjion dhe vendet veç e veç”.
“Kosova në momentumin e ri ka rrethanën më specifike prandaj edhe strategjia e qasjes mbi këtë realitet kërkon qasje të analizuar dhe vlerësuar mirë dhe me kujdes të shtuar”.
“Derisa Serbia edhe pas situatës së krijuar në Ukrainë, vazhdon të mbetet zgjatim i Rusisë në Ballkan, dhe para këtij fakti BE, vazhdon të flirtoj, pa qëndrim të qartë ndaj Serbisë, epilogu i procesit të dialogut Kosovë-Serbi do të mbetet i paqartë”.
“Dështimi i Serbisë për të dënuar me forcë agresionin e zhveshur të Rusisë kundër Ukrainës e vë atë në kundërshtim të fortë me vlerat evropiane”.
“Dështimi i Serbisë për t’iu bashkuar sanksioneve evropiane kundër Rusisë ofron mbështetje ekonomike dhe politike për Rusinë, përsëri, në kontrast të fortë me politikën e BE-së”.
“Prandaj edhe është i pakuptimtë edhe Programi i Partneritetit për Paqe nga ana e NATO-s me Serbinë, sikur edhe kandidatura për anëtarësim në BE, sepse veprimet e saj destruktive janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me detyrimet e saj si anëtare kandidate në Bashkimin Evropian dhe partnere e Programit PfP me NATO-n”.
“Mbështetja e heshtur e Serbisë për agresionin rus është në kontrast me përkushtimin e dukshëm të Kosovës ndaj vlerave evropiane dhe përpjekjeve të vazhdueshme të Kosovës për të përmirësuar secilin prej treguesve që janë në përputhje me vlerat evropiane dhe euroatlantike”.
“Këto përfshijnë mbështetjen për ekonomi tregu, lirinë e medias, gjyqësor të pavarur, respektimin e të drejtave të pakicave etnike dhe qytetarëve të të gjitha grupeve pa dallim”.
“Kosova ka një media të pavarur. Serbia, përkundrazi, është ulur në renditje nga Freedom House për sa i përket lirisë së medias”.
“Kosova ka mirëpritur gazetarët ukrainas të cilët janë detyruar të largohen nga vendi i tyre. Mediat e Serbisë janë të mbushura me dezinformata për luftën në Ukrainë, keqinformime dhe gënjeshtra për statusin e serbëve etnikë që vazhdojnë të jetojnë në paqe dhe të sigurt plotësisht me të gjitha të drejtat sikur secili qytetarë në Kosovë”.
“Lufta në Ukrainë ka detyruar çdo vend të vendosë në cilën anë të historisë do të qëndrojë. Vendimi i Kosovës është i qartë. Mjerisht mbështetja e Serbisë për Rusinë e ka vendosur atë në anën e gabuar të historisë dhe vazhdimisht angazhohet të minojë përpjekjet për të krijuar një familje kombesh ballkanike të lira”.
“Këto fakte na mërzisin, por neve nuk na dekurajojnë”.
“Ne, së bashku me partnerët tanë kryesuar nga aleati ynë strategjik- SHBA, fuqishëm jemi duke punuar në forcimin e institucioneve tona shtetërore në përgjithësi, dhe institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjes në veçanti”.
“Në fakt, përpjekjet e Kosovës janë dyfishuar në funksion të përmirësimit të jetës së qytetarëve tanë, forcimit të lidhjeve me fqinjët tanë dhe integrimit të fuqishëm në komunitetin e përgjegjshëm euro-atlantik”.