Mehaj: Forcat e Armatosura të Shqipërisë, do shënojnë arritje të larta nën drejtimin e gjeneral Arben Kingjit

E publikuar: 05/08/2022 17:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka marrë pjesë në ceremoninë e emërimit në detyrën e Shefit të ri të Shtabit të Forcave të Armatosura në Shqipëri, Gjeneral Brigade, Arben Kingji.

Mehaj përmes një statusi në Facebook, u shpreh i bindur që Forcat e Armatosura të Shqipërisë, do të shënojnë aritje të larta nën drejtimin profesional të shefit të ri të Shtabit të Forcave të Armatosura, Gjeneral Brigade Arben Kingji.

“Sot me ftesën e Ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, Niko Peleshi, mora pjesë në ceremoninë e emërimit në detyrën e Shefit të ri të Shtabit të Forcave të Armatosura, Gjeneral Brigade Arben Kingji. Duke e njohur mirë përgatitjen e tij, gatishmërinë dhe vullnetin për t’i shërbyer atdheut, jam i bindur që Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë do të shënojnë aritje të larta nën drejtimin e tij profesional, me integritet dhe dinjitet, e cila do të rezultojë më përmbushjen e misionit për garantimin e sigurisë kombëtare”.

“Nga ana ime e sigurova Kingji që do të ketë bashkëpunimin dhe mbështetjen e pakursyer të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke punuar si një trup i vetëm në mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare si dhe sigurinë e stabilitetin rajonal, orientimin tonë në mbështetje të Misioneve të NATO-së, në partneritet të plotë me ShBA-të dhe BE-në”, ka shkruar tutje ai.