Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se ditëlindjet e heronjve madhështor si Gjergj Kastrioti- Skënderbeu janë shënjues të historisë së kombit tonë.
Sipas tij, të rralla janë figurat historike që të kenë mundur t’i mbijetojnë kohës duke kaluar më tepër se pesë shekuj nga ndarja fizike, por që vazhdojnë të mbeten edhe më të gjallë e madhështor ndër nesh.
“E edhe më e vështirë është që të jesh figurë e respektuar jo vetëm për kombin tënd edhe për gjithë vendet demokratike. Gjergj Kastrioti nuk është vetëm figurë që shpalos karakterin e një kryetrimi, e një njeriu të urtë e të papërkulshëm, por edhe të një arbërori që i del zot atdheut të tij në ditët më të rënda”.
“Ishte dhe mbetet gjithmonë vizionari, lideri e gjenerali që diti se si ta udhëheq urtësisht, jo vetëm luftën, por edhe kombin dhe shtetin e tij dhe të mbronte jo vetëm pragun e atdheut të tij, por edhe tërë familjen e civilizimin evropian”.
“Ushtria e Skënderbeut, ashtu siç e vënë në dukje disa kronistë evropianë, nuk përbëhej vetëm nga shqiptarët por në mesin e ushtarëve të tij kishte edhe gjerman, hungarez, napolitan etj, sepse qëllimi i luftës ishte i përbashkët, çlirimi, mbrojtja dhe ruajtja e integritetit dhe sovranitetit të tyre”.
“Dhe me të drejtë Barleti tek Skënderbeu shihte figurën ‘që përfaqëson dhe mishëron, çdo gjë të lartë dhe të dashur të popullit të vet, vetit e tij më të ndritura, ëndrrat dhe dëshirat e tij, frymën dhe idealet e tij më të bukura, më të larta e më të plota’”.
Tutje, ai shton se Skënderbeu është figurë e cila qëndron shenjtërisht në kodin e kombit tonë, dhe do mbetet emblemë e heroizmit, udhëheqjes, diplomacisë dhe e artit ushtarak, e po ashtu dëshmi e orientimit tonë të kamotshëm euroatlantik.
“Trashëgimia e tij diplomatike dhe ushtarake është burim frymëzimi në rrugëtimin tonë dinjitoz drejt NATO-së dhe Bashkimit Evropian”.