Mediumi zviceran: Testet false për COVID-19 në Kosovë u paguan deri në 760 euro

E publikuar: 06/09/2021 12:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Tre persona janë arrestuar dje nën dyshimin për falsifikim të testeve COVID-19.

Por për këtë çështje së fundi ka raportuar edhe mediumi zviceran, ku theksohet se çmimi për një test të falsifikuar të llojit PCR në vendet e Ballkanit ka shkuar deri në 800 franga apo 760 euro.

Në raportim thuhet se “pikërisht kështu kriminelët përpiqen të fitojnë para”.

Dhe për këtë siç vë në pah blick.ch, policia në Kosovë tashmë ka zbuluar një laborator falsifikimi në Komunën e Podujevës.

Veç kësaj thuhet se në Serbi, Kosova, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, mbi 100 persona janë arrestuar së fundi në lidhje me falsifikimin e testeve PCR.

Poashtu theksohet se në një rast autoritetet hetuese kanë konfiskuar edhe disa kompjuterë, transmeton lajmi.net.

Sipas blick.ch, nuk është gjë e re çështja e testeve false të COVID-19.

Është pikërisht Interpol që kishte paralajmëruar vitin e kaluar se kriminelët do të përpiqeshin të fitonin para nga to.

E rastet e fundit që ndodhën kanë ngritur alarm edhe në shtetin zviceran.

Është kantoni i Cyrihut që ka ndaluar një festival muzikor me një njoftim të shkurtër pasi autoritetet kishin frikë se shumë vizitorë do të mund të merrnin pjesë përmes testeve false PCR.

Ditë më parë, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla ka deklaruar se si rezultat i kontrollimit dhe zbatimit të masave, kanë iniciuar dy raste të falsifikimit të testeve PCR për COVID-19, ku janë arrestuar tre persona të dyshimtë.

“Kemi iniciuar dy raste për falsifikim të testeve PCR. Janë kontrolluar tri agjenci janë identifikuar 9 persona ku në 48 orëshin e fundit janë arrestuar tre persona. Ndaj 9 personave janë ngrit kallëzime penale”, kishte thënë Sveçla.