Qytetarët e Kosovës shumë shpejt do të paguajnë më lirë për produktet bazë, që përbëjnë shportën e konsumatorit, barnat dhe shërbimet publike, por më shtrenjtë për të gjitha produktet e tjera.
Ministria e Financave ka nisur ndryshimin e ligjit “për Tatimin e Vlerës së Shtuar”, duke reduktuar TVSH-në nga 16, sa është aktualisht në disa produkte, në 8 për qind; dhe duke e rritur në 18 për qind për disa të tjera.
Lista e produkteve, të cilat do të kenë TVSH-në 8 për qind, e për të cilat pritet ulja e menjëhershme e çmimit me të hyrë ligji në fuqi, janë shërbimet publike si energjia, uji, mbeturinat, ngrohja dhe pastrimi i rrugëve, si dhe produktet bazë të shportës së konsumatorit: buka, vaji, kripa, sheqeri, qumështi, orizi, vezët, barnat, produktet farmaceutike dhe pajisjet mjekësore.
“Çdo gjë që blejnë sot konsumatorët paguajnë 16 për qind TVSH. Presim që kjo të reflektohet drejtpërdrejt në faturën e ujit, ngrohjes dhe energjisë, për konsumatorët, menjëherë sapo të hyjë në fuqi ligji. Ata do të marrin faturën 8 për qind më të ulët, sesa e kanë marrë deri më tani, por pres që edhe për ushqimet elementare të ndodhë një gjë e tillë. Çdo gjë, që paguan konsumatori 16 për qind më shtrenjtë është vetëm prej TVSH-së. Nëse biznesi detyrohet që shtetit t’i paguajë vetëm gjysmën e saj, pra 8 për qind, atëherë detyrimisht që do të ulen çmimet”, tha Avdullah Hoti, ministër i Financave.
Mirëpo, Qeveria e Kosovës ka parashikuar rritje të normës së TVSH-së për të gjitha produktet e tjera, nga 16 në 18 për qind. Në listën e produkteve me normë të ndryshuar janë edhe mediet elektronike dhe gazetat. Aktualisht mediet nuk paguajnë TVSH për letrën, pajisjet e tjera dhe faturat që lëshojnë. Me propozimin e ri, TVSH-ja shkon në 8 për qind.
Ndryshimet fiskale në përgjithësi janë mirëpritur nga njohësit e ekonomisë. Por, drejtori i institutit “Riinvest”, Lumir Abdixhiku vlerësoi se këto ndryshime janë pozitive për shtresën e varfër të shoqërisë, por kanë efekt negativ te shtresat e mesme, pasi shumica e produkteve që nuk u takojnë atyre bazë do të shtrenjtohen për 13 për qind.
Sa i përket TVSH-së për mediet, ministri i Financave tha se kjo është ende në nivel propozimi dhe se vendimi përfundimtar do të jetë i koordinuar me përfaqësuesit e medieve. Ministria e Financave ka propozuar edhe lirimin nga TVSH-ja për linjat e prodhimit, makineritë që përdoren në procesin e prodhimit, lëndën e parë që shfrytëzohet për procesin e prodhimit dhe pajisjet e teknologjisë informative./ Top Channel/.