Gjashtë shtetasit turq që u arrestuan mëngjesin e sotëm në Prishtinë kanë arritur në Turqi.
Të paktën kështu raportojnë mediat turke duke iu referuar informacioneve të Anadolu Agency sipas së cilës, Organizata Kombëtare e Inteligjencës së Turqisë (MIT) ka kapur gjashtë pjesëtarë të FETO-s të kërkuar në Turqi përmes një operacioni që ka realizuar në bashkëpunim aktiv me inteligjencën e Kosovës.
Cihan Özkan, Kahraman Demirez, Hasan Hüseyin Günakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Yusuf Karabina që dyshohet se janë pjesë e organizatës së Fetullah Gulen thuhet se janë dërguar në Turqi me aeroplan privat.
Poashtu në raportimin e mediave turke, thuhet se gjashtë të ekstraduarit nga Kosova, pritet të dalin para organeve gjyqësore.
Sipas të dhënave të siguruara, gjashtë të ekstraduarit, krahas aktiviteteve në shtetet e Ballkanit, kanë qenë të angazhuar për të ndihmuar arratisjen e punonjësve të organizatës në Turqi drejt shteteve të Evropës dhe SHBA.
Në shkrimin e Anadolu Agency thuhet se është vërtetuar se Özkan ka menaxhuar paratë e mbledhura në emër të bamirësisë në shtetet e Ballkanit, të cilat i ka transferuar më pas në Pensilvani, ku gjendet kreu i organizatës terroriste.
Kahraman Demirez, thuhet se ka luajtur rol që organizatës t’i bashkangjiten një numër i madh personash.
Nga ana tjetër, Günakan, i sjellë po ashtu në Turqi përmes operacionit të MIT-it, ishte përgjegjës për mësimdhënësit në strukturat shkollore në rajon.
Emrat e tjerë të sjellë në Turqi mësohet se kanë qenë figura të larta përgjegjës për strukturimin e FETO-s në institucione dhe organizata të ndryshme./RTK/


















