Mediat shqip në Maqedoni: Grupi i Kumanovës, njerëz të AAK-se

E publikuar: 10/05/2015 23:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shumica e pjesëmarrësve të grupit të armatosur në Kumanovë janë militantë të AAK-së në Kosovë, shkruan portali në gjuhën shqipe në Maqedoni, ‘aktuale.mk’.Sipas këtij portali edhe pse ende nuk dihet se kush qëndron pas tyre, ajo që dihet tani për tani është se shumica e atyre që u është bërë i njohur identiteti, “njihen si njerëz të afërt të vëllezërve Haradinaj në Kosovë”.
Jo zyrtarisht, Beg Rizaj ka qenë ish-truprojë e liderit të AAK-së, Ramush Haradinajt, kurse Mirsad Ndrecaj, fati i të cilit ende nuk po dihet, pos që është njeri shumë i afërt i Haradinajve, (njëherësh është edhe familjar i ish-komandantit të Brigadës 132 ‘Myrtë Zeneli’ në Dukagjin).

Mirsad Ndrecaj me Ramush Haradinajn

\"\"
Në zgjedhjet e fundit lokale në Gjakovë, madje Mirsad Ndrecaj, si militant i AAK-së, ishte arrestuar për kërcënime ndaj një njeriu me ndikim në komunitetin romë, i cili e përkrahte kryetaren e tashme të Gjakovës.
Ndërsa, Xhafer Zymberi, emri i të cilit po përflitet si i vrarë, ka qenë edhe kandidat i AAK-së për deputet në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Xhafer Zymberi me Ramush Haradinajn

\"\"
Sapo të konfirmohet identiteti i të gjithë të arrestuarve dhe të vrarëve, aktuale.mk do të sjellë një përmbledhje të përgjithshme të aktivitetit të tyre të mëhershëm.
Ndërkohë, policia ka etiketuar Sami Ukshinin, i njohur me emrin Komandant Sokoli, Beg Rizaj, Dem Shehu dhe Muhamet Krasniqi – Komandant Malisheva si krerët e grupit të kosovarëve që kanë udhëhequr luftimet të shtunën, ndërkohë që një pjesë e tyre tashmë janë dorëzuar, derisa Malisheva është edhe i plagosur.
Siç ka thënë zëdhënësi i policisë, Ivo Kotevski, në grupin e të dorëzuarve është edhe një shtetas shqiptar nga Shqipëria. Ndryshe, në luftën e vitit 2001, të gjithë personat e sipërpërmendur kanë qenë ushtarë të UÇK-së në rajonin e Likovës. /aktuale.mk/