Mediat serbe: Lista Serbe e njofti pamvarësinë e Kosovës

E publikuar: 18/10/2016 20:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Fakti që lideri i grupit parlamentar të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, Slavko Simic ka dorëzue të Martën nji kërkesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, për rrximin e Ligjit për Investime Strategjike, i miratuem javën e kalueme në Kuvendin e Kosovës, ka ba që mediat në Serbi me quejt këtë veprim si skandaloz.

Madje, fakti që kjo asht kërkesa e dytë ( mbas asaj për Trepçën) drejtue nji institucioni që mbron aktin ma të naltë të shtetit të Kosovës, ka ba që mediat me quejt veprimin e Listës Serbe si “skandal mbas skandali”.

Portalet serbe “teleprompter”, “Beta” e “Tanjug” kanë shkrue se “Lista Serbe në Kosovë, mbështetun nga Qeveria e Serbisë, në mënyrë të drejtpërdrejtë po e njeh Kosovën si shtet të pamvarun”, transmeton Insajderi.

Këto media janë të njohuna edhe si opozitë e kryeministrit Aleksandar Vucic.

Mediat ia kanë kujtue Listës Serbe, se qysh “ajo thirret që mbështet Qeverinë e Serbisë” por simbas tyne ajo ka veprue në të kundërtën tue “pranue direkt egzistencën e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe Kushtetutën e Kosovës, që asht në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Kushtetutën e Republikës së Serbisë, e cila thotë se Kosova asht krahinë serbe.”

Më 13 Tetor Lista Serbe ka ba edhe nji tjetër kërkesë drejtue Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, për shqyrtimin e ligjshmënisë së miratimit të Ligjit për Trepçën nga ana e legjislativit.