Mediat e mëdha gjermane kanë raportuar për situatën e tensionuar në Kosovë, pas vendosjes së barrikadave nga serbët lokalë në veri.
Komandanti i kontingjentit gjerman të KFOR-it, Eugen Frank, tha për “Welt” qëndrimin e tij për konfliktin aktual në veri të Kosovës, duke shtuar se misioni ushtarak perëndimor në Kosovë është “i domosdoshëm për sigurimin e paqes dhe stabilizimin e situatës”.
Sipas oficerit gjerman, “ekziston rrezik i përhershëm i përkeqësimit të situatës së sigurisë në kohën më të shkurtër të mundshme”.
Frank deklaroi se ka zhgënjim të madh në veri të Kosovës për shkak të situatës së përgjithshme, e cila është “një bazë konstante për përshkallëzimin e mundshëm dhe potencialin për dhunë”.
Sipas tij, situata e paqëndrueshme ka shkaqet e saj “në krimin e organizuar, strukturat paralele serbe dhe në potencialin e pandryshuar ekzistues të konfliktit ndëretnik”.
Teksti thekson qëndrimin e Frank se njerëzit në veri të Kosovës po përdoren “si instrument për ndikimin serb përmes aktorëve të ndryshëm”.
Ndërsa gazeta tjetër gjermane Kölnise Rundschau, transmeton tekstin e Thomas Roser korrespondent nga Beogradi, në të cilin ndër të tjera thuhet: “Duke ndezur fitilin në fuçinë e Kosovës Vuçiç dëshiron të largojë vëmendjen nga presioni i Bashkimit Evropian ndaj Serbisë që të vendosë sanksione ndaj Rusisë, supozojnë analistët në Beograd”.
Kurse për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Roser pohon se ai po “luan një burrë të fortë për të larguar vëmendjen nga situata e mjerueshme në vendin e tij, thonë kritikët e tij në Prishtinë”.
Në një artikull tjetër të Süddeutsche Zeitung, gazetari Tobias Cik ndër të tjera thekson se “Vuçiç njoftoi të enjten se do të kërkojë zyrtarisht NATO-n të dërgojë një mijë ushtarë serbë në veri të Kosovës ‘për të ruajtur paqen’.
Vuçiç i referohet Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të qershorit 1999, e cila në parim njihte të drejtën e Serbisë për të dërguar një numër të vogël policësh dhe ushtarësh në Kosovë pas përfundimit të luftës, për shembull, për të ruajtur kishat ortodokse, nëse diçka të tillë do ta aprovonte Këshilli i Sigurimit.
“Megjithatë, shumë shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara besojnë se kjo rezolutë nuk është më ligjërisht e detyrueshme pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008”.
Në tekst veçohet edhe qëndrimi i shefes së diplomacisë gjermane, Analene Berbock, se dërgimi i ushtarëve serbë është “krejtësisht i papranueshëm”.
Edhe gazeta e përditshme, Tageskeitung, transmeton gjithashtu një intervistë me Ulf Brunbauer, profesor i historisë së Evropës Juglindore dhe Lindore në Universitetin e Regensburgut.
Ai deklaroi se “niveli i armatimit atje është i lartë, korrupsioni është shumë i përhapur”.
Pak më tutje profesori i përgjigjet pyetjes se pse konflikti u përshkallëzua pikërisht tani.
“Kjo ndodh në intervale të rregullta. Së pari, serbët radikalë e shohin qeverinë e Albin Kurtit si shumë patriotike. Ky është një keqperceptim tipik i serbëve që e shohin veten si viktima. Por nuk ka asnjë tregues të diskriminimit sistematik. Kurse Vuçiç nuk është i interesuar për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe”.
Ndryshe, në veri të Kosovës serbët kanë vendosur barrikada në së paku gjashtë lokacione në shenjë proteste ndaj arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiç.
Tensionet janë rritur që nga 6 dhjetori, kur u dëmtuan zyrat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok.
Që nga ajo kohë, në komunat me shumicë serbe, ka pasur të shtëna me armë zjarri, hedhje të granatave dhe shok bombave, ndërsa gjatë patrullimit, një zyrtar policor u plagos lehtë gjatë një sulmi në Zveçan më 8 dhjetor.