Mediat e huaja mbi arrestin e Berishës: Privimi nga komunikimi për liderin e opozitës mund të bëhet një çështje më e gjerë politike

E publikuar: 30/12/2023 21:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vendimi i GJKKO për të lënë liderin e opozitës shqiptare, Sali Berisha në arrest shtëpie dhe në izolim të komunikimit ka tërhqur edhe vëmendjen e mediave ndërkombëtare.

“Berisha e ka kritikuar hetimin ndaj tij dhe arrestimin e tij si represion politik të urdhëruar nga kryeministri Edi Rama dhe ka paralajmëruar “protesta të fuqishme”. Privimi i Berishës nga komunikimi mund të bëhet një çështje më e gjerë politike sepse ai është kreu i partisë kryesore opozitare.”, shkruhet në artikullin e AssociatedPress.

Reuters gjithashtu i ka kushtuar një artikull kësaj çështjeje.

“Gjokutaj tha se Berisha do ta apelojë vendimin. Ish-kryeministri ka mohuar pretendimet e prokurorisë, duke akuzuar kryeministrin aktual Edi Rama se ka kryer një sulm politik për të mbyllur gojën e opozitës.”, shkruan Reuters.

Kujtojmë se sot Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e SPAK për masën e re, arrest shtëpie me mbikëqyrjen e policisë për Sali Berishën. Kryedemokrati po hetohet për korrupsion pasiv në aferën “Partizani”, ndërsa Prokuroria ka kërkuar që Berisha të ketë kontakt vetëm me personat që jetojnë me të në të njëjtën banesë. Një nga avokatët e tij, Sokol Mëngjesi tha se sot ka marrë vendimin e parë të gjykatëses Rudina Palloi për refuzimin e përjashtimit të gjyqtares Irena Gjoka nga çështja. Ndërsa shtoi se ka njoftuar sekretarinë për kërkesën e dytë të nisur me postë. Nën hetim dhe në masë arresti shtëpie për privatizimin e Partizanit është dhe dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi i cili ndërtoi kulla mbi territorin e kompleksit sportiv.