Media e Hamasit: Djemtë e liderit Ismail Haniyeh u vranë gjatë vizitave për Bajram

E publikuar: 10/04/2024 23:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Të tjera detaje kanë dalë për vrasjen e djemve dhe nipërve të liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh.

Sipas mediave të huaja, të cilat citojnë mediat e lidhura me Hamasin (TV Al Aqsa), thuhet se Hazem, Ameer dhe Mohammed Haniyeh u vranë me anëtarët e familjes, në sulmin pranë kampit të refugjatëve al Shati në qytetin e Gazës.

Tre djemtë dhe tre nipërit po bënin vizita familjare gjatë ditës së parë të festës së Fitër Bajramit në Shati, kampi i tyre i refugjatëve në qytetin e Gazës, sipas të afërmve të cituar nga Reuters.

Ismail Haniyeh është me origjinë nga Shati.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit pretendojnë se djemtë e tij ishin operativë të Hamasit “në rrugën e tyre për të kryer aktivitete terroriste në zonën qendrore të Rripit të Gazës”.

Vëllezërit po udhëtonin me anëtarët e familjes në një automjet të vetëm të shënjestruar nga një dron izraelit, tha Al Aqsa TV, duke shtuar se gjithsej gjashtë persona u vranë, duke përfshirë një vajzë të Hazem Haniyeh dhe një djalë e një vajzë të Ameer.