Më shumë se 100 të arrestuar në një operacion antimafia në Itali

E publikuar: 11/02/2016 09:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia italiane arrestoi gjatë ditës së djeshme më shumë se 100 persona gjatë një operacioni kundër një klani të rrezikshëm mafioz në lindje të Sicilisë, i specializuar në rrëmbime dhe vënie gjobash.

Karabinieria italiane arrestoi pjesëtarë të familjes mafioze Laudani, me bazë në Katania. Ndërmjet të arrestuarve ishte më i moshuari i klanit, Sebastiano Laudani, 89 vjeç, i cili u vu nën arrest shtëpiak si edhe tri gra, të cilat mbanin llogaritë e Laudanëve.
”Familja Laudani është një nga më të rrezikshmet në zonë dhe vepron e veçuar nga strukturat e ‘Cosa Nostra’-s, megjithatë mban lidhje me mafian kalabreze ‘Ndrangheta”, deklaroi policia italiane.

“Ky klan ishte një kancer i vërtetë”, tha kryetari i bashkisë së Katanias, Enzo Bianco.
”Pronarët e dyqaneve që refuzuan dhënien e gjobave kanë qenë viktima të sulmeve. E gjitha kjo krijoi një klimë që terrorizoi biznesmenët”, theksoi ai.

Ndërkohë, ministri i Brendshëm italian, Angelino Alfano, me origjinë nga Sicilia, përgëzoi policinë dhe e konsideroi ditën e sotme si ”një ditë të madhe për vendin dhe njerëzit tanë”.
“Le ta vazhdojmë këtë rrugë… dhe t’ua heqim frikën qytetarëve nga këta kriminelë që donin ta mbanin peng ekonominë e Sicilisë dhe banorët e saj”, theksoi ai.