Producenti Ermal Mamaqi, i ftuar në “Top Story” foli për epokën e re të filmit shqiptar dhe kontributin e tij, duke sjellë filma komikë, në të cilat ka luajtur edhe si aktor protagonist.
Mamaqi tregon se është sulmuar dhe goditur për filmat e tij, ndërsa tregon se shumë nuk e kanë mbështetur, por gjithsesi shprehet se është krenar që filmat e tij janë përkrahur dhe pëlqyer nga publiku.
“Edhe janë sulmuar dhe goditur nga disa mjeshtra të kinemasë që fatkeqësisht pinë raki te Akademia e Arteve. Ajo që më pëlqen dhe jam krenar që ndodhi me filmat e mi është që jo vetëm u përkrahën nga publiku po bën diçka që u reflektua në industri. U motivuan shumë për të bërë një film independet dhe u pa një fakt të tillë që po mund të bësh lekë me filmin shqiptar”, tha aktori.
Producenti tregon edhe një histori në fillimet e tij, me kinemanë “Cineplexx”.
“Problemin më të madh e kam me drejtuesit e “Cineplexx”. Kur shkova për filmin edhe i thash që dua të gjitha sallat, kam ekipin e marketingut… më thanë ‘shiko Ermal nuk shohin shqiptarët film shqip’.
Po u thoja ‘po shiko se do jetë Elvana Gjata’. ‘Ore nuk sheh njeri film shqip, harroje’, më thanë. U thash ‘sa është filmi më i shitur nga ju ndonjëherë?’ ‘24 mijë bileta.’ Bëra llogaritë dhe 24 mijë bileta nuk nxirrnin lekët e filmit. I thash duhet patjetër që të bëj 100 mijë bileta ndryshe nuk dal me fitim. Më thanë ‘po bëre 100 mijë bileta ne do të bëjmë bustin këtu poshtë kinemasë’”, tregon Ermali.
Me shaka producenti Ledion Liço ndërhyn duke i thënë: “Përderisa nuk është bërë busti do me thënë nuk janë blerë 100 mijë bileta”.
“Janë bërë dhe janë kaluar por nuk e mbajtën fjalën”, përgjigjet Ermali.
“Nëse e kërkon mundësinë mundësia është, që do me thënë ka shumë njerëz që presin në forma të ndryshme të financimit dhe rrinë qahen shajnë, ankohen dhe nuk bëjnë asgjë”, shprehet ai./tch