Shqipëria është kualifikuar në Europianin e vitit 2024, e cila do të mbahet në Gjermani.
I duhej vetëm një pikë, dhe atë e mori në Kishinau në ndeshjen ndaj Moldavisë. Kombëtarja e mori pikën që i nevojitej falë barazimit me rezultatin 1-1 dhe siguruan për të dytën herë në histori, pjesëmarrjen në finalet e një kampionati europian.
Kuqezinjtë rezervuan kështu vendin e tyre në mesin e kombëtareve pjesëmarrëse në Gjermani verën e vitit 2024.
Sa i takon ndeshjes, moldavët dhanë shkëndijën e parë në minutën e 16-të me Nicolaescun, por Berisha priti mjaft mirë në pozicion.
Tetë minuta më pas erdhi edhe momenti vendimtar për kuqezinjtë, me Taulant Seferin që fitoi një 11-metërsh. Nga pika e bardhë u paraqit Sokol Cikalleshi që nuk gaboi dhe e dërgoi topin në rrjetë. Sakaq, katër minuta nga fundi, Bajrami tentoi nga distanca por portieri moldav priti në dy kohë.
Fraksioni i dytë nisi me një goditje të Seferit nga distanca, por sulmuesi nuk e gjeti kuadratin. Nga ana tjetër, Nicolaescu provoi një goditje të fortë, por Etrit Berisha priti mjaft mirë dhe largoi topin në këndore.
Në minutat që pasuan, një mundësi e mirë u shfaq për Dakun dhe më pas për Asanin që tentoi nga një goditje dënimi. Megjithatë, në fund, moldavët barazuan me Baboglo, por që nuk prishën festën e Shqipërisë që mori pikën që duhej për t’u kualifikuar në Euro 2024.
Festa e kuqezinjve shpërtheu në Moldavi, por edhe në vendin tonë, për ngjarjen që ngriti peshë zemrat e shqiptarëve.
Në sheshin “Skënderbej” goli i shënuar nga Cikalleshi është pritur me ovacione nga tifozat kuq e zi, të cilët po ndiqnin ndeshjen.
Atmosfera fantastike nuk ka munguar as gjatë ndeshjes në stadium ku kumboi zëri i tifozëve kuqezi me këngën “Mora fjalë”.
Sa i takon formacionit, në portë qëndroi titullari Etrit Berisha, në qendër Ismajli me Gjimshitin ndërsa në krah Hysaj dhe Mitaj, në mesfushë, Asllani me Ramadanin, teksa disi më i avancuar është Bajrami, në krahët e sulmit Seferi me Asanin dhe në qendër Cikalleshi. Më pas u bënë zëvëndësime, ku Sylvinho i dha mundësinë lojtarëve të tjerë të futeshin në fushën e blertë.
Formacioni zyrtar gjatë ndeshjes:
Përpara nisjes së lojës, nga ‘fan zona’ në Moldavi, tifozeria shqiptare krahas thirrjeve “Oh sa mirë me ken shqiptar, o hej, o hej”, nuk ka kursyer as batutat apo ngacmimet ndaj Moldavisë, duke thirrur “O moldave, o hiç fare”.