“Me paaftësinë tonë kemi ndihmuar Vuçiç”, Haradinaj: Marrëdhënia e keqe e Kosovës me Uashingtonin na ka kushtuar

E publikuar: 04/10/2023 00:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Haradinaj Shba-Usa

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është shprehur gjatë një interviste për emisionin “Opinion” se marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Uashingtonit nuk ekzistojnë. Ai tha se kjo i ka kushtuar Kosovës dhe ka trimëruar armiqtë e saj.

“Një ndihmë ia kemi dhënë edhe ne Vuçiçit me paaftësinë tonë që interesin nacional me e lidh me Uashingtonin. Siç e dini marrëdhëniet e Prishtinës me Uashingtonin nuk ekzistojnë. Ashtu si u tha, marrëdhëniet Prishtinë-Tiranë, Prishtinë-Uashington s’ka fare marrëdhënie. Nuk kam parë kryeministrin tonë, ministren e Jashtme, Presidenten të shkojnë në vizita zyrtare në Uashington. Nuk po flas për këto të OKB-së dhe ngjarje të tjera që ndodhin. Është një marrëdhënie mjaft e keqe mes Kosovës dhe Uashingtonit. Kjo na ka kushtuar dhe kjo i ka trimëruar armiqtë e Kosovës dhe Rusinë e gjithë të tjerët”, tha Haradinaj.

Po ashtu, duke folur për marrëdhëniet Rama-Kurti, Haradinaj tha se duhet punuar së bashku sepse rreziku është real.

“Nuk e kemi kohën shumë me ia kërkuar fajin njëri tjetrit. Duhet me i kërkuar falje njëri-tjetrit për çdo keqkuptim dhe me ul me punu bashkë sepse rreziku është real. Duhet t’i pushojmë tërë ato argumentet e kohës së zakonshme, t’i pushojmë, t’i flejmë dhe duhet të kthehemi në atë që po ndodh. Situata nuk është aq e thjeshtë”, tha ai./tvklan.al