Ligji për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 tashmë është në fuqi. Me këtë Ligj, personi i i cili ka obligim të izolohet apo karantinohet për afatin e përcaktuar kohor nga organi kompetent si një masë parandaluese për mospërhapjen e infeksionit të shkaktuar nga COVID–19 dhe nuk i zbaton urdhrat e dhënë nga organet kompetente dënohet me gjobë deri në 500 euro,transmeton Telegrafi.
Neni 26 i këtij ligji rregullon çështjen e izolimit dhe karantinës gjatë pandemisë COVID-19.
Neni 26- Izolimi dhe Karantina
I. Personi i cili ka obligim të izolohet apo karantinohet për afatin e përcaktuar kohor nga organi kompetent si një masë parandaluese për mospërhapjen e infeksionit të shkaktuar nga COVID–19 dhe nuk i zbaton urdhrat e dhënë nga organet kompetente dënohet me gjobë:
1.1. Personi i vendosur në izolim apo karantinë sipas vendimit të organit kompetent i cili nuk i zbaton rregullat e përcaktuara gjatë kohës së qëndrimit në izolim/karantinë apo tenton të largohet nga izolimi/karantina dënohet me gjobë prej pesëqind (500) euro si dhe rikthimin në izolim apo karantinim;
1.2. Personi i cili hyn në zonën karantinë të Republikës së Kosovës dhe nuk izolohet apo karantinohet, siç është përcaktuar me vendim të organit kompetent, dënohet me gjobë prej pesëqind (500) euro;
1.3. Personi i cili vjen nga zona karantinë dhe nuk zbaton vendimin nga organi kompetent për izolim apo karantinim të detyrueshëm dënohet me gjobë prej njëqindepesëdhjetë (150) euro;
1.4. Personi i cili del nga izolimi ose zona e karantinës e përcaktuar me vendim të organit kompetent, pa leje përkatëse dënohet me gjobë prej njëqindepesëdhjetë (150) euro.