Një mbulesë e bardhë acari ma ka mbuluar trupin. Por, e di se është dimër dhe kjo më lehtëson në njëfarë mënyre. E di kur mbaron kjo stinë, por ajo që nuk di është se kur do të mbarojë kjo dhembje imja…
Qëndroj pranë zjarrit, por nuk më ngrohë si përqafimet tua dikur. Tash më përqafon vetmia dhe këtë e di edhe ti, ndërsa largësia është e ftohtë. Nuk ka shërim për këtë “sëmundje” timen. Kam pyetur për “sëmundjen” time, kam përdor edhe terapi për ta shuar mungesën tënde, por s’ka gjë nga ajo punë. Lutjet janë vetëm humbje kohe. Ti s’do ta ktheje më kokën mbrapa as edhe një sekondë për mua.
Edhe sot kam të ftohtë, edhe pse zjarrin e dashurisë për ty e kam të ndezur brenda vetes. Këtë zjarr nuk e shuan asgjë, e as mëkatet tua nuk i shuan zjarri dot…
Do të doja të jem si ti, pa ndjenja, por edhe pse kam derdh lot pa ndalur nuk kishte sukses. Më kanë mbetur vetëm kujtimet që më ngushëllojnë. E, nganjëherë kur vetmia bëhet më e madhe, kujtimet më torturojnë, para vetes më shfaqet realiteti dhe më bën të ndjehem fajtore.
Kam një shpirt të mbushur dashuri, por ndjehem bosh. Po vdes çdo ditë nga pak. Do t’i harroja vuajtjet dhe çdo gjë që ke bërë për t’më lënduar sikur vetëm një herë t’më përqafoje…
Andaj, i kam me miliona arsye pse duhet të kthehesh: ishe i imi dhe je akoma. Ti mund të shkosh atje ku s’do të të shoh dhe s’do të dëgjoj asgjë për ty, por më mjafton vetëm njëherë të mbyll sytë dhe do të kem pranë vetes. Më ke thënë edhe vetë se jam mjaft e fortë për të të harruar ty, por unë nuk dua. Nuk dua të të harroj, nuk dua të të zëvendësoj me dikë tjetër. Do të jetoj kështu, do t’i mbaj në shpirt kujtimet më të çmuara të këtij acari dashurie. Do e ndjej përsëri çdo prekje tënden edhe nëse do të shkosh larg, sepse do ngushëllohem me fjalët e mira që dikur m’i thoshe, e zëri yt si melodi e mahnitshme dashurie do t’më përcjell gjithë jetën.
Tani më thua se jemi të huaj pas gjithë kësaj? Jo, unë nuk të ndjej si të huaj dhe asnjëherë nuk do të dorëzohem…/E.
/kosovarja/