Mbyllja e kufirit me Shqipërinë lë pa punëtorë Greqinë 

E publikuar: 22/12/2020 10:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Mes rrënojave antike, që janë mbuluar nga vegjetacioni, gjendet toka e Nikos Argirakis, në zonën kryesore të Greqisë ku kultivohet ulliri. Në tokën e Argirakisit, zakonisht punojnë dhjetëra punëtorë të huaj, të cilët vjelin rreth 1,000 drunjtë e ullirit që ai ka mbjellë.

Por, këtë vit, Nikos, 40-vjeçar, i ka kërkuar motrës dhe nënës së tij që ta ndihmojnë atë sepse ka mungesë të punëtorëve, për shkak të masave kufizuese të vendosura nga Greqia për ta luftuar koronavirusin, shkruan AFP.

“Kështu bënin gjyshërit tanë”, thotë ai. “Vjelja gjithmonë ka qenë çështje familjare”, shton Argirakis.

Muajin e kaluar, Greqia mbylli kufirin me Shqipërinë, burimin kryesor të punëtorëve sezonalë të agrikulturës.

Por, fatmirësisht, Argirakis ka gjetur një çift nga Shqipëria dhe dy burra nga Bangladeshi, të cilët kanë mbetur brenda Greqisë para se shteti të vendoset kufizimet e reja.

Një punëtor gjatë sezonës së korrjes të ullinjve. Ai ka vendosur një rrjet, ku vendosen ullinjtë.

Një punëtor gjatë sezonës së korrjes të ullinjve. Ai ka vendosur një rrjet, ku vendosen ullinjtë.

Prona prej një hektarësh e Argirakis gjendet në Gadishullin e Peloponezit, në afërsi të qytetit Kalamata.

Zakonisht, sezoni i vjeljes së ullinjve mbaron në fund të nëntorit, por tani vjelja pritet të zgjasë deri në fund të dhjetorit, thotë Argirakis, i cili punon po ashtu si kamerier në një kafene në Kalamata.

Ullinjtë vilen me dorë dhe hedhen në një rrjetë që vendoset poshtë pemëve. Kjo është një punë e mundimshme, që shumë grekë përtojnë ta bëjnë.

Në maj të këtij viti, në pikun e pandemisë së koronavirusit, Shqipëria dhe Greqia njoftuan se arritën marrëveshje, ku mbi 10,000 punëtorë sezonalë të agrikulturës nga Shqipëria – pavarësisht masave të izolimit – u lejuan që të shkojnë në Greqi për të punuar.

Qytetarët e Shqipërisë aplikuan për punë të rregullt për në Greqi përmes një platforme online.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje, të gjithë punëtorët nga Shqipëria iu nënshtruan testit për koronavirus, para se të nisnin punën në sektorin e agrikulturës në Greqi. Kjo marrëveshje mes Shqipërisë dhe Greqisë iu mundësoi mbi 10,000 punëtorëve shqiptarë që të punonin për tre muaj.

Edhe vitin e kaluar, mbi 10,000 punëtorë sezonalë u punësuan në sektorin e agrikulturës në Greqi, kryesisht nga Shqipëria, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut.

“Çka nëse janë të infektuar?”

Në fshatin e afërt, Messini, Panayiotis Outsikas gjithashtu varet nga ndihma e familjes së tij për të vjelur ullinjtë.

“Nuk ka punëtorë, ne duhet të vjelim vetë”, thotë ky bari, që po kulloste delet e tij.

“Shumica e pronave janë prona familjare, ku popullsia është e vjetër dhe është e vështirë të vjelësh ullinjtë dhe besoj se tani do të trefishohet koha derisa ta bëjmë këtë”, thotë Ioannis Andriopoulos, i cili punon në një kooperativë bujqësore lokale.

Ai po ashtu thekson se në mes të pandemisë së koronavirusit, që ka marrë jetën e mbi 4,000 personave në Greqi, shumë punëtorë sezonalë – që shumë prej tyre janë pa dokumente dhe kanë frikë nga dëbimi nga vendi – kanë frikë që t’i nënshtrohet testit për sëmundjen COVID-19.

“Është e vështirë që t’iu besosh punëtorëve të padokumentuar. Ata nuk testohen (për koronavirus) nga frika se mund të arrestohen. Por, çka nëse ata janë të infektuar?”, pyet ky 50-vjeçar.

Sipas të dhënave të Komisionit Evropian, bazuar në shifrat e ofruara nga policia greke, vetëm gjatë vitit 2019, mbi 123,000 persona kanë hyrë ilegalisht në Greqi. Numri më i lartë vijnë nga Afganistani me mbi 32,000 migrantë ilegalë, ndërkaq nga Shqipëria gjatë 2019-tës në Greqi, ilegalisht kanë hyrë 10,203 persona.

Ndërkaq, sipas shifrave të ofruara nga sektori i agrikulturës në Greqi, pothuajse gjysma e punëtorëve sezonalë janë të huaj.

“Ari i gjelbër” i Greqisë

Sa të sheh syri, mijëra pemë të ullinjve shtrihen deri në bregdet në Messinia, që gjendet në Gadishullin e Peloponezit.

Vaji i ullirit, që njihet ndryshe edhe si “ari i gjelbër” i Greqisë, kapi vlerën e 790 milionë eurove më 2019, sipas të dhënave të agjencisë të Bashkimit Evropian, Eurostat.

Por, për shkak të izolimit, këtë vit pritet që vlera e shitjes së këtij produkti të arrijë në 650 milionë euro.

Me prodhimin e 275,000 tonëve vitin e kaluar, Greqia është prodhuesi i katër në botë i vajit të ullirit, pas Spanjës, Italisë dhe Tunizisë.

Ullinj të mbjellë në jug të Spanjës. Ky shtet është një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të vajit të ullirit.

Ullinj të mbjellë në jug të Spanjës. Ky shtet është një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të vajit të ullirit.

Pothuajse 60 për qind e prodhimit të vajit të ullirit eksportohet, kryesisht në Itali.

Giannis Pazios, sekretari i përgjithshëm i kooperativës lokale thotë se mbyllja mbarëkombëtare e restoranteve më herët gjatë këtij viti, dhe më pas edhe prej 7 nëntorit, ka goditur shumë kërkesat për vajin e ullirit, që është një prej përbërësve kyç në kuzhinën greke.

“Ne nuk mund t’iu shesin restoranteve apo dyqaneve ushqimore dhe eksportet kanë rënë këtë vit”, thotë Dimitris Karoupalis, pronar i një kompanie të vajit të ullirit.

“Kemi pak hapësirë për manovrim, por ne duhet të arrijmë sukses nëse shkojmë në tregje të reja, siç është Rusia”, shton ai.

Ky sektor ka rreth 600,000 prodhues të vegjël, të cilët janë të fragmentuar dhe jo të menaxhuar mirë. Shumë prodhues preferojnë që të fitojnë para për një kohë të shkurtër dhe nuk kanë strategji afatgjate të marketingut dhe të promovimit të prodhimeve të tyre.

“Kultura e vajit të ullirit në Greqi është më shumë traditë familjare, një praktikë amatore sesa një aktivitet ekonomik”, thotë Vassilis Zambounis, një gazetar dhe bashkautor i një libri 700-faqesh mbi vajin e ullirit.

“Shishet me vajin e ullirit u shpërndahen familjarëve dhe miqve. Grekët u besojnë më shumë prodhimeve që i bëjnë në shtëpi sesa atyre që shiten në dyqane ushqimore”, thotë ai.

Përgatiti: Mimoza Sadiku