Rreth 60 parkingje private në Prishtinë do të mbyllen si pasojë e mospërmbushjes së kushteve për të operuar. Një pjese të tyre tashmë inspektorët ia kanë vënë drynin. Pronarët e tyre kanë fajësuar komunarët, teksa nga Komuna e Prishtinës thanë se autoparkingjet duhet t’i plotësojnë kushtet. Qytetarët u ankuan për mungesë të vendeve adekuate për t’u parkuar.
Të gjithë ata që janë mësuar t`i parkojnë automjetet në këtë parking në rrugën Zija Prishtina, të martën u kthyen prapa.
Një pjesë e tyre i parkuan veturat në rrugë, e pjesa tjetër kërkuan parkingje të tjera private. Kjo pasi ky parking bashkë me rreth 60 të tjerë në Prishtinë u urdhëruan që të mbyllen për shkak të mosplotësimit të kushteve të nevojshme.
Pronarë të parkingjeve private në Prishtinë nuk janë pajtuar me vendimin e Komunës së Prishtinës për mbylljen e këtyre parkingjeve. Ata kanë thënë se kushtet që janë kërkuar t’i plotësojnë nga pronarët janë të atilla që nuk mund t’i plotësojnë as për 30 ditë.
Qytetarët u ankuan se kanë mbetur duke u sjellë rrugëve në mungesë të hapësirave adekuate për t’i parkuar veturat e tyre, raporton RTKLive.
E si alternativë, një pjese të qytetarëve u mbeti parkimi në rrugë.
Në mungesë të parkingjeve, qytetarët kanë bllokuar trotuaret me automjetet e tyre, për çka shpeshherë po gjobiten nga Policia e Kosovës.
Nga Komuna e Prishtinës thanë se mbyllja e parkingjeve erdhi si pasojë e mospajisjes së tyre me leje.
Brestovci përmendi edhe kushtet që duhet t`i plotësojnë parkingjet private.
Një pjesë e qytetarëve u ankuan se i kanë pasur të paguara parkingjet për tërë muajin, për çka edhe janë dëmtuar financiarisht.

















