Mbrojtja Konteston Përgjegjësinë Komanduese të Limajt në Rastin “Bellanica”

E publikuar: 14/06/2017 20:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokurorja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Drita Hajdari, në fjalën hyrëse tha se provat që e mbështesin aktakuzën do të vërtetojnë fajësinë dhe përgjegjësinë komanduese të Fatmir Limajt në rastin e vrasjes së dy civilëve më 2 tetor 1998.“Në kohën e vrasjes së Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit, fshati Bellanicë ishte zonë e përgjegjësisë së Brigadës 121, komandant i së cilës ishte tani i akuzuari Fatmir Limaj, i njohur me pseudonimin “Komandant Çeliku”, tha prokurorja.
Ajo më tutje konstatoi se Limaj ishte në dijeni për kryerjen e këtyre dy vrasjeve.

“I akuzuari Fatmir Limaj ishte në dijeni se personat me maska kanë rrëmbyer një civil. Për këtë e njofto te ‘Shupa’ e Banjës Enver Hoxha, djali i të ndjerit Ramiz Hoxha, i cili së bashku me kushëririn e tij Ejup Hoxha i është vënë pas rrëmbyesve të babait të tij. Qysh nga momenti i rrëmbimit i akuzuari Fatmir Limaj e dinte për krimin që ishte duke ndodhur”, shtoi prokurorja Drita Hajdari.

Ndërsa, Tahir Rrecaj, avokat i të akuzuarit Limaj, e kontestoi përgjegjësinë komanduese të Limajt për vrasjet në territorin e komunës së Malishevës.

“…të konfirmuar nga vet Prokuroria se personat se pretendohet se e kanë kry veprën janë të paidentifikuar dhe më tutje ta mbaj qëndrimin se ata kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së. Unë nga deklaratat e dëshmitarëve dhe nga dëshmitë që keni ju zoti kryetar nuk del se dëshmitarët e propozuar nga Prokuroria të kenë konfirmuar faktin notor se ata kan qenë pjesëtarë të UÇK-së”, tha avokati mbrojtës Tahir Recaj.

Avokati Rrecaj më tutje në fjalën e tij hyrëse theksoi faktin që Prokuroria nuk i ka vërtetuar disa fakte të cilat janë të paargumentueshme.

“Nëse do të vërtetohej se kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së duhej të vërtetohej se pjesëtarë të cilës njësi kanë qenë pikërisht për faktin se përgjegjësia komanduese si komandant mund të trajtohet edhe një person nëse tre apo katër veta e trajtojnë si komandant dhe i nënshtrohen urdhrave të tij”, shtoi avokati.

Para se të shkohej në pauzë, mbrojtja kishte kërkuar që të përjashtohet publiku nga salla e gjykimit në mënyrë që të diskutohet një kërkesë e mbrojtjes.

KALLXO.com ka mësuar që mbrojtësi i Fatmir Limajt, avokati Tahir Rrecaj i ka propozuar Prokurorisë që të gjitha provat dhe dëshmitë që ka vetëm të lexohen për hir të efikasitetit pasi që i akuzuari Limaj është duke u ballafaquar edhe me akuza të tjera në Gjykatën e Prishtinës.

Sipas propozimit të mbrojtjes pajtohen që të gjitha dëshmitë e dëshmitarëve dhe provat materiale të konsiderohen të lexuara.

Nga ana tjetër, prokurorja Drita Hajdari ka kërkuar kohë deri të premten që të deklarohet lidhur me këtë kërkesë të mbrojtjes.

Gjykimi është ndërprerë për kohë të pacaktuar.