Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, pas përfundimit të pyetjeve të mbrojtësit të Hashim Thaçit, Peter McCloskey, tani dëshmitari është duke u përgjigjur në kundër-pyetjet e mbrojtësit të Kadri Veselit, Ben Emmerson.
Seanca po vazhdon të jetë private.
Dëshmitari i dytë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), po dëgjohet sot për të tretën ditë me radhë, pasi dëshmia e tij filloi të hënën dhe vazhdoi edhe të martën.
Rasti Thaçi dhe të tjerët, dëshmitari i dytë po vazhdon të dëgjohet në seancë private edhe sot
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, edhe sot po vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ish-presidentit Hashim Thaçit, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, ku po dëgjohet në seancë private dëshmitari i dytë.
Dëshmitari i dytë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), po dëgjohet sot për të tretën ditë me radhë, pasi dëshmia e tij filloi të hënën dhe vazhdoi edhe të martën, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Dëshmitari është duke u përgjigjur në kundër-pyetjet e mbrojtësit të Hashim Thaçit, Peter McCloskey.
Ndryshe, të hënën, në Dhomat e Specializuara ka përfunduar dëshminë e saj, dëshmitarja e parë, e cila po ashtu ishte dëgjuar në seancë private. Kjo dëshmitare e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill, 12 prill, 13 prill dhe më 17 prill.
Të hënën (17 prill) ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka thënë se është anëtar i LDK-së dhe ka thënë se ka qenë prezent në daljen e parë publike të UÇK-së. Ai, po ashtu ka thënë se Drejtoria Politike e UÇK-së në Malishevë, kishte ushtruar presion që LDK ta pushojë aktivitetin e saj.
Ndryshe, në seancën e 3 prillit 2023, u dha fjala hyrëse nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe mbrojtësi i viktimave, Simon Laws.
Po ashtu, në po atë seancë, pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.
Kurse, seanca e 4 prillit 2023 vazhdoi me fjalën hyrëse të mbrojtjes së Thaçit, Veselit dhe Selimit, si dhe deklaratat pa betim të këtyre të fundit.
Ndërkaq, në seancën e 5 prillit 2023 u dha fjala hyrëse e mbrojtjes së Krasniqit dhe ky i fundit tha deklaratën pa betim.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi