Mbrojtja e ish-presidentit, Hashim Thaçi ka bërë të ditur se nuk ka ndërmend të ndryshojë ose plotësojë njoftimin për alibi në këtë kohë.
Në shkresë të mbrojtjes, thuhet se më 27 janar 2023, trupi gjykues urdhëroi mbrojtjen të “ndryshojë ose plotësojë njoftimet e tyre ekzistuese të alibisë”, duke paraqitur, jo më vonë se të mërkurën (15 shkurt 2023, një njoftim të ndryshuar ose plotësues të alibisë që është në përputhje me kërkesat e Rregullave 95 (5) dhe 104 (1) (a) të Rregullave, siç specifikohet në këtë vendim, në lidhje me çdo incident të akuzuar në aktakuzë lidhur me të cilin i akuzuari përkatës dëshiron të ngrejë mbrojtjen e alibisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Mbrojtja nuk ka ndërmend të ndryshojë ose plotësojë njoftimin e alibisë në këtë kohë. Megjithatë, mbrojtja rezervon të drejtën e saj të njoftojë për një alibi më vonë, dhe veçanërisht pasi të hiqen të gjitha redaktimet nga materiali i ZPS-së. Në mënyrë të veçantë, mbrojtja vë në dukje se ndryshimet thelbësore mbeten në fuqi në dosjen paraprake të ZPS, listën e dëshmitarëve të ZPS-së dhe materialin provues. Për shembull, identiteti i përafërsisht 24 prej dëshmitarëve në listën e dëshmitarëve të ZPS-së mbetet i redaktuar, duke rezultuar në redaktime të konsiderueshme në të gjithë materialin e tyre dhe çdo send të lidhur”, thuhet në shkresën e Thaçit.
Kujtojmë se më 1 nëntor 2022, mbrojtja e ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kishte njoftuar gjykatën se nuk është në gjendje të jap një njoftim të plotë të alibisë në këtë moment, kjo për shkak të redaktimeve të shumta.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.